Shuhet Bashkim Fino, kryeministri i pajtimit kombëtar

Politika shqiptare është zhytur në zi. Ish kryeministri i qeverisë së pajtimit kombëtar në vitin 1997, deputeti socialist Bashkim Fino ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare. Ai prej disa kohësh po kurohej nga COVID-19, por në mëngjesin e së hënës nuk ka përballuar dot një infarkt miokardi.
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e politike zotit Fino në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik.
Zoti Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
Zoti Fino ka qenë vazhdimisht pjesë e parlamentit shqiptar që nga viti 1997. Në zgjedhjet e 25 Prillit ai ishte i katërti në listën e PS në qarkun e Fierit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




