Silva: Hapja e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin mes prioriteteve të presidencës portugeze

Portugalia do të përpiqet t’i organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të vitit, deklaroi ministri portugez i Punëve të Jashtme, Augusto Santosh Silva, vendi i të cilit mori presidencën e radhës me BE-në më 1 janar.
Silva theksoi se hapja e bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupin është mes përparësive të presidencës portugeze.
Ai theksoi se BE deri më tani i ka dërguar shumë kërkesa Maqedonisë së Veriut. Vendi duhej të kryente një numër reformash shumë të rëndësishme, madje ta ndryshonte edhe emrin e tij.
”Ata e kryen punën e tyre. Tani është koha që ne ta kryejmë tonën”, theksoi Santosh Silva.
Ai paralajmëroi se presidenca portugeze përmes bisedimeve me të dy palët do të kërkojë të tejkalohen keqkuptimet midis Sofjes dhe Shkupit.
”Tani kemi situatë të re – pyetjet e bëra nga Bullgaria. Qëllimi im është të flas intensivisht me qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sepse është shumë e rëndësishme t’i dëgjosh me kujdes argumentet e palës tjetër. Kur kjo të bëhet, mund të kuptohet lehtësisht se ekziston një bazë e përbashkët mbi të cilën mund të punohet”, përfundoi ministri portugez i Punëve të Jashtme./ ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




