Situata në Kosovë, Xhaçka: Kurti të dëgjojë ndërkombëtarët! Të ndalet thellimi i hendekut me SHBA e BE, pasojat do jenë të rënda

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka shprehur qartë se Shqipëria do të jetë në krahë të Kosovës gjithmonë dhe do të këshillojë atë që të mos thellojë edhe më shumë hendekun mes saj dhe SHBA-BE, pasi pasojat do të jenë të rënda për vendin.
Xhaçka tha se qeveria e Kosovës duhet të dëgjojë aleatët ndërkombëtarë pasi në të kundërt atë e pret izolimi ndërkombëtar dhe pasoja të rënda për ekonominë e vendit.
“Jemi të shqetësuar nga rritja e tensioneve në veri dhe jemi të angazhuara me aleatët që situata të mos përkeqësohet më tej. Jemi të keq ardhur që gjendemi në këtë situatë kaq delikate në një moment ku kishte një mundësi të artë që do të çonte në zgjidhjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve të tyre.
Në rastin tonë shqetësimi bëhet i madh ku aleatët në mënyrë unanime e gjejnë përgjegjësinë më të madhe te Kosova, duke dobësuar pozitat e saj në sytë e SHBA-së dhe BE.
Për ne Kosova është e shenjtë, ndajmë objektivat e qeverisë së Kosovës për një zgjidhje përfundimtare të negociuara me Serbinë. Është e domosdoshme që qeveria e Kosovës të dëgjojë ndërkombëtarët për ç’tensionimin e situatës. Të ndalet thellimi i hendekut me SHBA dhe BE sepse pasojat janë të mëdha.
Dialogu Kosovë-Serbi, rruga e vetme drejt paqes. Arritja e një marrëveshje për njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në BE dhe OKB është shumë e rëndësishme dhe do shumë guxim se ajo që po ndodh sot në veri”, tha Xhaçka
Lidhur me kapjen e 3 efektivëve të Kosovës nga Serbia, Xhaçka kërkoi që ato të lirohen dhe se Shqipëria është në pritje të raportit përfundimtar të KFOR-it. Xhaçka bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe të merren hapa për uljen e tensioneve.
“Situatat më e fundit me 3 policët e kapur nga ushtria serbe rrezikon t’i hedh benzinë zjarrit. Kemi qenë në kontakt të ngushtë me aleatët për këtë ngjarje dhe kamë kërkuar vlerësimin e KFOR për çfarë ka ndodhur dhe jemi në pritje të përfundimit të hetimeve.
Është e domosdoshme të ruhet qetësia dhe qeveria serbe të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Lirimi i tyre do ishte kontribut i madh drejt uljes së tensioneve. Jemi të qëndrimit se ushtarët nuk kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Serbisë dhe në të tilla raste as të kalimit të kufirit apo hyrjes në një zonë që mund të konsiderohet e Serbisë nuk do të çonte në arrestimin e tyre, por kthim pas të tyre, prandaj ato duhen liruar. Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim konstruktiv që mbështet Kosovën dhe ç’tensionon situatën”, tha Xhaçka.
Xhaçka foli edhe për vendi in e Kosovës për ndalimin e automjeteve me targa serbe, ku shtoi se shpreson që kjo të jetë vetëm për sigurinë pasi në të kundër di të dëmtonte jo vetëm tregun rajon por edhe të vetë Kosovës.
“Ndalimi i qarkullimit të automjeteve me targa serbe. Theksojmë se lëvizja e lirë pjesë e angazhimeve që kanë ndërmarrë vendete tona, në kuadër të punës për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
Masat nuk janë për qëllime ekonomike, por për masa sigurie. Mbetet të shohim se çdo të thotë kjo në realitet sepse do dëmtonte ekonomitë e rajonit dhe Kosovës. Do dobësonte pozitën e saj në sytë e ndërkombëtarëve.
MEPJ ka ndjekur me vëmendje dhe seancën e mbajtur pas zgjedhjeve dhe masat vijuese të panevojshme dhe të dëmshme. Kemi qenë në kontakt me SHBA-BE, kemi punuar në mënyrë pro-aktive për të gjetur zgjidhje. Rama u ka përcjellë një draft për asociacionin, hap i rëndësishëm dhe i qenësishëm për ç’tensionimin”, tha Xhaçka.
Një përgjigje ministrja e pa pasur edhe për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
“Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët, kam dëgjuar akuza dhe teori për mungesë mbështetje ndaj Kosovës. Të gjithë ata që i kanë ndjekur marrëdhëniet e Shqipëri-Kosovë, ata që bërtasin më shumë se u digjet barku për Kosovën, i kanë bërë dëmin më të madh Kosovën”, tha ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




