Situata parazgjedhore në Serbi, Vuçiç njofton paketën prej 600 milionë euro në ndihmë të qytetarëve

Serbi | 3 muaj më parë

Rreth 600 milionë euro është vlera e paketës së njoftuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që synim ka përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe nga e cila pritet të përfitojnë më shumë se tre milionë persona.

Vëmendje të veçantë i është kushtuar 1 milion e 663 mijë pensionistëve në vend. 377.2 milionë euro do të shkojnë në ndihmë të tyre duke nisur nga fundi i muajit shtator, ku çdo pensionist do të marrë një pagesë që varion nga 20 mijë deri në 35 mijë dinarë.

“Nga viti 2020 deri në 2026, rritja nominale e pensioneve është 117.1 për qind dhe ajo reale është 45.3 për qind. Pra, nëse marrim parasysh inflacionin, pensionet janë rritur me më shumë se 45 për qind në gjashtë vitet e fundit”, u shpreh presidenti serb.

Sipas tij, 148 658 përfitues të ndihmës sociale do të marrin pagesa prej 25 mijë dinarësh, ndërsa të njëjtën shumë do ta marrin edhe familjet me fëmijë, për çdo fëmijë që kanë.

Ndër masat në ndihmë të qytetarëve, sidomos pensionistëve, janë edhe kuponat turistikë me vlerën e 10 mijë dinarëve, që do t’i përfitojë çdo i moshuar, pensioni i të cilit është deri në 80 mijë dinarë dhe që zgjedh t’i kalojë pushimet në vend.

Shtresat më të dobëta të shoqërisë do të përfitojnë ulje nga 20 deri në 40 për qind të faturave të energjisë, plus një tjetër ulje prej 1 mijë dinarësh për pensionistët dhe ushtarakët.

Për individët që janë në terapi mjekësore është parashikuar subvencionim i ndjeshëm i kostos së medikamenteve.

Paketën e re të masave Vuçiç e njoftoi dy ditë pasi tha se do të dorëhiqej brenda pak javësh, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare. Megjithëse nuk ka konfirmuar se cili do të jetë hapi i tij i radhës pasi të largohet nga drejtimi i shtetit, Vuçiç pritet të drejtojë fushatën e partisë së tij progresiste, në pushtet prej më shumë se një dekade, dhe të kandidojë për kryeministër.

Rritje pensionesh, pagash apo pagesash të njëhershme Vuçiç ka njoftuar edhe para zgjedhjeve të mëparshme, por paketa e këtij viti vjen në një kohë kur qeveria po përballet me një nga sfidat më të mëdha politike, që janë protestat e drejtuara nga studentët kundër korrupsionit qeveritar, të nxitura nga shembja, në nëntor të dy viteve më parë, e strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit thonë se kjo ngjarje nxori në pah përmasat e gjera të korrupsionit dhe mbikëqyrjen e dobët nga shteti të projekteve të ndërtimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme