Situatë problematike nga reshjet në Pukë e Shkodër! Prurjet e përrenjve dëmtojnë rrugë e ura, përmbyten disa hektarë tokë

Sociale | 4 vite më parë

Moti i keq me reshje të dendura shiu që ka përfshirë vendin prej ditës së djeshme (26 shtator), ka sjellë një sërë problematikash në qarkun e Shkodrës. Në Pukë, sipas informacionit zyrtar të kësaj bashkie, për shkak të prurjeve të përrenjve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrugë rurale, ura, objekte dhe kanale vaditëse . Sipas të njëjtit burim janë dëmtuar rreth 80 km rrugë. Rruga Qelëz- Ukth-  Maja e Mirgës; rruga e Kabashit; rruga Memaj-Buhot janë dëmtuar totalisht; ndërsa ka shkarje masive në rrugët Bicaj-Blinisht- Krovë si dhe në të gjitha rrugët rurale të Njësisë Administrative Gjegjan. Në këtë njësi është dëmtuar dhe kanali vaditës Rras Kuzhen, ura e këtij fshati si dhe çatia e shkollës.

Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe ne zonën e Dukagjinit në Shkodër. Si pasojë e prurjeve të përrenjve  është dëmtuar ura që lidh fshatin Theth me fshatin e Ndërlysaj dhe aktualisht është i pamundur aksesi i banorëve nga Thethi ne Ndërlyse.

Në zonën e Nënshkodrës, reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë përmbytur disa hektar tokë në fshatin Bërdicë e Mesme.  Në Darragjat rrezikojnë të përmbyten, pasi lumi Buna ka gërryer një pjesë të argjinaturës dhe kjo e fundit rrezikon të shembet.

Megjithatë deri tani situata në qarkun e Shkodrës konsiderohet nën monitorim,  ndërkohë që institucionet vendore janë vënë në lëvizje për kapërcimin e dëmeve dhe marrjen e masave në terren në zonat me  rrezikshmëri të lartë për përmbytje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme