Skena erotike në “Agon” bëri bujë, aktori Guljem Kotori: Një nga skenat më reale, por më kushtoi një histori dashurie

Aktori Guljem Kotori është një nga emrat e rinj të kinematografisë shqiptare. Roli kryesor në filmin “Agon” të regjisorit Robert Budina në vitin 2012, i dha atij suksesin në moshën 21-vjeçare.
I ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, Kotori kujton se si u bë pjesë e këtij filmi.
“Ka qenë si një shkëputje nga realiteti. Atëherë punoja në një lokal nate. Pasi bëra audicionin dhe fitova rolin e filmit “Agon”, më marrin dhe më lënë në mes të Selanikut ku më thonë që duhet të jetosh dy-tre muaj këtu. Muajin e parë duhet të mësoja gjuhën, kulturën, gjithçka ndodh me një emigrant. Më pas ishin xhirimet”, tha ai.
Në atë kohë, skena erotike me aktoren Eglantina Cenomeri mori vëmendjen e publikut dhe të medies.
“Është një nga skenat më reale nga skenat erotike të prodhimeve shqiptare. Donim ta çonim mesazhin e dashurisë deri në fund. Njerëzit nuk ishin mësuar me këtë gjë. Përveç skenës erotike, filmi ka dhe një gjuhë të ashpër, një gjuhë rruge, një gjë normale për sa i përket skenarit sepse flet për një kriminel. Edhe skena erotike duhej çuar deri në fund, sa më reale. Vetëm audienca jonë nuk e pranoi. Njerëzi në kinematë shqiptare nuk e pranonin dhe këtë gjë e bëri gjuha dhe jo imazhi. Shumë njerëz janë ngritur nga kinemaja, kryesisht mosha e tretë, kanë ikur vetëm nga gjuha”, tregoi Kotori.
Sipas tij, ka një ndryshim të madh mes një skene erotike që bëhet me art dhe një skene vulgare.
“Ajo është një skenë normale. Filmat e rinj që kanë dalë, filmat indipendentë, kanë skena më vulgare. Skena erotike e filmit “Agon” nuk krahasohet me asnjë skenë që është xhiruar pas kësaj. Janë vulgare dhe nuk mund të krahasoj vulgaritetin me artin.”, u shpreh ai.
Kotori tregon se kjo skenë i kushtoi në një histori dashurie që po përjetonte në atë kohë.
“Kam qenë në një lidhje. I thashë se çfarë kam xhiruar dhe xhelozia u shkaktua përpara se filmi të dilte. Aty ndodhi dëmi”, u shpreh Kotori.
I pyetur se si i vlerëson produksionet kinematografike që bëhen sot, ai shprehet: “Sot është bërë një mishmash në kinemaë shqiptare sepse prodhimet dinjitoze nuk shkojnë më te publiku, por shkojnë prodhimet indipendente. Kjo sepse dinë të bëjnë më tepër distribucion sesa filmat seriozë të Qendrës Kinematografike. Distribucioni është një hallkë e produksionit që nuk funksionon. Si filma nuk kanë të krahasuar, thjesht ata dinë të bëjnë lekë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




