Sllovakia i dërgon Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29

Botë | 4 vite më parë

Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29, nga gjithsej 13, tha të enjten Ministria sllovake e Mbrojtjes.

“Katër avionët e parë u janë dorëzuar në mënyrë të sigurtë Forcave të Armatosura të Ukrainës”, tha ministria. Ky shtet tha se transferimi u krye nga pilotët ukrainas dhe se “javët e ardhshme do t’i dorëzohen ukrainës edhe pjesa tjetër e avionëve”.

Qeveria e Sllovakisë miratoi transferimin e flotës së saj të avionëve luftarakë të epokës sovjetike MiG-29 javën e kaluar.

Sllovakia u bë vendi i dytë anëtar i NATO-s, pas Polonisë, që dëgjon kërkesat e qeverisë ukrainase për avionë luftarakë.

Përpara pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, Ukraina kishte disa dhjetëra MiG-29 që trashëgoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, por është e paqartë se sa prej tyre mbeten në shërbim pas më shumë se një viti luftimesh.

Forca ajrore e Ukrainës është familjarizuar me MiG-29 dhe mund t’i përdorë avionët menjëherë. /rel/

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme