“Sokrat, jemi këtu o shpirt”, familjarët presin autorin e dyshuar të vrasjes së portugezit në Ksamil, jepet sot masa e sigurisë
11 të arrestuarit për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes janë paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Sarandës, ku po zhvillohet seanca për caktimin e masave të sigurisë.
Mendes u vra me thikë pas një sherri në klubin e një kompleksi luksoz në Ksamil, teksa i dyshuari kryesor është Sokrat Vata, ndaj të cilit rëndon akuza për “vrasje”. Për 10 personat e tjerë janë ngritur akuza të ndryshme, mes tyre “përkrahje të autorit të krimit”, “moskallëzim krimi” dhe “mosmarrja e masave për ndërprerjen e paligjshmërisë”.
Të arrestuarit janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, të shoqëruar nga forcat “Shqiponja” dhe FNSH.
Në momentin e mbërritjes së tyre, jashtë ambienteve të gjykatës ndodheshin edhe familjarë të Sokrat Vatës.
Në pamjet e siguruara nga RTSH jashtë gjykatës dëgjohet një grua që i drejtohet Vatës me fjalët: “Sokrat, jemi këtu o shpirt”. Ndërsa një tjetër person, një burrë, e thërret në gjuhën turke: “Sokrat, abi”, që në shqip do të thotë “Sokrat, vëlla”.
Seanca për caktimin e masave të sigurisë vijon prej më shumë se një ore në Gjykatën e Sarandës.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi në orët e para të së martës, 18 gusht, rreth orës 02:30 në ambientet e një klubi pranë një resorti luksoz në Ksamil. Disa orë më vonë turistin portugez Luis Miguel Varela Mendes, u gjet i vdekur në shezlon pranë resortit.
Sipas hetimeve, 20-vjeçari portugez u qëllua fillimisht me grushte dhe pastaj me thikë nga Sokrat Lipan alias Sokrat Vata dhe Danjel Gjana alias Davidi Heurtevent, shqiptar me pasaportë britanike, i cili është shpallur në kërkim. Të dy akuzohen për vrasje me dashje kryer në bashkëpunim.
Që prej mbrëmjes të së hënës, i riu portugez ndodhej bashkë me miqtë e tij në klubin e natës së vetë kompleksit, ku organizohej një festë me DJ francez. Në këtë pjesë të kompleksit, ndodhi edhe konflikti që i mori jetën. Turisti kishte ardhur në vendin tonë me agjenci turistike, bashkë me të tjerë.
Mes të akuzuarve janë edhe dy shtetasit turq që tentuan ta transportonin drejt Tiranës, policë te shtetit që punonin si “bodyguard” në kompleksin luksoz dhe disa kamerierë. Edhe Bekim Bulica pronar i lokalit, që dyshohet se fshehu krimin, është shpallur në kërkim policor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





