“Solidariteti për Sigurinë Globale” në fokusin e Forumit Strategjik të Bledit në 28 dhe 29 gusht

Rajon | 3 vite më parë

Konferenca e 18-të ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bledit do të zhvillohet në Bled, Slloveni, më 28 dhe 29 gusht 2023.

Ambasada e Sllovenisë në Tiranë bëri të ditur se konferenca e këtij viti do të mbahet nën titullin “Solidariteti për Sigurinë Globale” dhe do të jetë forumi më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues global deri më tani.

Forumi Strategjik i Bledit është një projekt ndërqeveritar i Republikës së Sllovenisë, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane dhe Qendra për Ardhmërinë Evropiane.

“Në dritën e përmbytjeve katastrofike të fundit në Slloveni, konferenca e këtij viti do të përqëndrohet edhe te aktivitetet për mbledhjen e fondeve për lehtësimin e përmbytjeve. Në kuadër të konferencës do të organizohen aktivitete të ndryshme për mbledhjen e fondeve për lehtësimin e përmbytjeve,” bëhet e ditur në njoftim.

Nën moton “Forumi Strategjik i Bled-it qëndron në solidaritet”, Forumi do të mbahet në solidaritet me njerëzit e prekur nga përmbytjet shkatërruese.

Aktivitetet e mbledhjes së fondeve do të përfshijnë thirrje për pjesëmarrësit për të dhuruar fonde për lehtësimin e përmbytjeve. Do të ketë gjithashtu një koncert për mbledhjen e fondeve të organizuar nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe një darkë donatorësh me drejtues të biznesit nga kryeministri, Robert Golob.

Nga një konferencë rajonale në një konferencë globale, me një pjesëmarrje të madhe të të ftuarve që vijnë nga të pesë kontinentet, Forumi i Strategjisë së Bled-it të këtij viti konsolidon më tej reputacionin e tij si një ngjarje me shtrirje globale.

Në total, Forumi Strategjik i Bled-it i këtij viti do të presë 32 sesione paneli dhe më shumë se 200 folës. Tetë kryeministra, tre presidentë, presidenti i Këshillit Evropian, 14 ministra të Jashtëm dhe shumë të ftuar të tjerë të nivelit të lartë, si dhe anëtarë të Forumit Strategjik Bled, shoqëri civile, organizata ndërkombëtare, biznesmenë, vendimmarrës dhe akademikë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Këtë vit, Forumi po forcon më tej partneritetin e tij me grupet kryesore ndërkombëtare të mendimit si CEBRI – Brazil, Qendra për Kinën dhe Globalizimin – Kinë, Fondacioni i Kërkimeve Observer – Indi, Friedrich-Ebert-Stiftung – Gjermani, Laboratori i Diplomacisë Globale – Gjermani, BMW Fondacioni – Gjermani, Interpeace, që kanë qenë aktivisht të përfshirë në përgatitjen e përmbajtjes së debateve specifike. Disa ministri sllovene gjithashtu janë përfshirë në zhvillimin e përmbajtjes dhe janë duke organizuar aktivitete shtesë në kuadë të Forumit Strategjik të Bled.

Përmbajtja e Forumit Strategjik të Bled-it të këtij viti ngre çështjen e rolit të solidaritetit në garantimin e sigurisë. “Krizat janë bërë një dukuri e përditshme. Ato prekin shumë vende, rajone dhe kontinente dhe janë pa dallim. Fragmentimi global i komunitetit ndërkombëtar kërcënon më tej përpjekjet tona për të garantuar sigurinë e vendeve, rajoneve dhe individëve”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Forumi i sivjetshëm, si në aspektin e përmbajtjes ashtu edhe të pjesëmarrjes, pasqyron aspiratat e Sllovenisë si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) për vitin mandatar 2024-2025. Titulli i Forumit, “Solidariteti për Sigurinë Globale”, është një vazhdim kuptimplotë i sloganit të fushatës së Sllovenisë për KS të OKB-së, “Ndërtimi i besimit – Sigurimi i së ardhmes”.

Forumi i 18-të Strategjik i Bled-it po prezanton masa të reja të qëndrueshmërisë. Këtë vit, për herë të parë, transporti hekurudhor falas do të jetë i disponueshëm për pjesëmarrësit e konferencës në linjën Lubjanë-Lesce. Autobusët e përbashkët të transportit do të organizohen nga stacioni i trenit Lesce në vendet e konferencave në Bled. Masat e qëndrueshme përfshijnë gjithashtu rritjen e pjesës me bazë bimore të menusë dhe klasifikimin tashmë të mirëvendosur të mbetjeve.

Konferenca ndërkombëtare e Forumit Strategjik të Bled është konferenca kryesore në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Ai bashkon pjesëmarrës nga fusha të ndryshme me njohuri të ndryshme, duke i nxitur ata të shkëmbejnë pikëpamje dhe të gjenerojnë ide për të adresuar sfidat e tanishme dhe të ardhshme.

Konferenca është ngjarja kryesore e një platforme globale që funksionon me të njëjtin emër. Qëllimi i platformës është të gjenerojë ide dhe të shkëmbejë pikëpamje mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme