Sot afati i fundit, grupi i Alibeajt çon në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike nën drejtimin e kreut të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeajt ka dërguar sot në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kërkesa në KQZ është çuar nga përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa.   

6 marsi shënon dhe afatin e fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit.

Regjistrimi i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit ka qenë një pikë e nxehtë diskutimi mes demokratëve, ku grupi i Alibeajt dhe ai i Sali Berishës kanë qenë në “luftë” se cili prej tyre zotëronte vulën e partisë. Ka qenë vendimi i Gjykatës së Apelit më 3 mars që vendosi që vula i përket Alibeajt duke rrëzuar kështu Berishën.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, i cili ka bërë nul vendimin e gjyqtarit Zhukri për të njohur zyrtarisht Sali Berishën për kryetar të PD-së, vetë Berisha tha se do të bëjë rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë.

Përfaqësuesit ligjor të grupit të Berishës, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri depozituan të dielën në mbrëmje dokumentacionin për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor në zgjedhjet lokale të datës 14.05.2023 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Shkresa është firmosur nga Sali Berisha, i cili pretendon se është kryetari i PD-së. Ajo që bie në sy është fakti se në kërkesën e Berishës emri Partia Demokratike përmban dy shenja nistore PD/PDSH. Ky formulim tenton të mbyllë çdo hapësirë regjistrimi për subjekte të tjera politike të përafërta me këto shenja nistore. 

Por sot, PD e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj dërgoi dokumentacionin për t’u regjistruar në KQZ, duke sjellë si argument ligjor vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Nisur nga kjo situatë duket se palët do të pretendojnë t’i zgjidhin problemet e tyre për çështjen e regjistrimit në KQZ.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme