SPAK jep pretencën: 2 vjet e 6 muaj burg për Fredi Belerin dhe shërbim prove për mikun e tij

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kërkoi të martën 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për veprën e korrupsionit.
Në seancë, dy prokurorët e SPAK-ut lexuan dosjen gati 100-faqëshe kundër Belerit dhe mikut të tij, Pandeli Kokaveshi, duke përsëritur akuzat se kanë përgjegjësi penale për blerjen e votave në zgjedhjet lokale të majit 2023.
Hetuesit kërkuan që edhe Kokaveshi të dënohet me heqje lirie, përkatësisht 2 vite, por dënimi do të konvertohet në shërbim prove për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Por avokati i Belerit u shpreh se i gjithë procesi ndaj klientit të tij është manipuluar. “Nuk solli asnjë foto të vetme. Telefonat, pajisja DVR që janë sekuestruar nuk kanë asnjë lloj vlere. Ne i sollëm edhe dëshmitarin që ka qenë prezent. Prokurori i qëndron dëshmisë me fakte të pavërteta. Nuk ka gjurmë gishtash te kartëmonedhat,” u shpreh ai.
Seanca e radhës për mbrojtjen është caktuar më 28 shkurt.
Hetimet ndaj Belerit nisën më 9 maj 2023 pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, mbështetur në pamjet filmike dhe përgjimet e një agjenti të infiltruar të policisë, i cili kapi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë në këmbim të 8 votave.
Në fjalën para pretencës, Beleri u shpreh se gjithë kërkesat e tij për ekspertim të provave, drejtësia nuk ia kishte lejuar.
“Ju, duke mos qënë dhe duke mos u sjellë asnjëherë si gjykatë e paanshme, pas kallëzimit tim cenuat dhe deformuat më tepër procesin gjyqësor ndaj meje. Ju në një vendim historik për paligjshmërinë, refuzuat lejen time për të bërë betimin. Duke u zgjedhur me kujdes si një trupë e posaçme për këtë ngjarje të posaçme, shkuat edhe më tej i thatë në vendim kryeministrit si të zgjidhë hallin e tij, pa qënë palë në proces… Ju shikoni prokurorin në sy, përpara se të shpreheni në lidhje me kërkesat e mia. Për ju nuk është e rëndësishme dhënia e drejtësisë, pasi duket qartë që ju nuk mundoheni as të duket sikur po jepni drejtësi. Për ju nuk është as e rëndësishme për të respektuar parimet kushtetuese të një procesi të rregullt ligjor, në asnjë aspekt të tij. Për ju është e rëndësishme që të plotësoni dëshirat dhe të zbatoni urdhrat e kryeministrit për të mbajtur peng Bashkinë e Himarë. Në këto kushte një pjesë e prokurorisë dhe Kryeministri besojnë te drejtesia juaj. Ata janë të vetmit tashmë që besojnë dhe thonë që kjo është histori e Belerit me drejtësinë,” u shpreh Beleri.
Në zgjedhjet për Bashkinë e Himarës në maj të vitit të kaluar, Fredi Beleri ka fituar 3837 vota në total, kundrejt 3818 vota që ka fituar Jorgo Goro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




