Speciale/Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Pavarur- Kineastë nga e gjithë bota u mblodhën në Kuçovë

Duartrokitje pafund në një mbrëmje që dhuroi emocione. Gjashtë ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur, që u mbajt në Kuçovë, kulmuan me ndarjen e çmimeve.
Ndërsa sheshi përpara kinemasë, që mban emrin e aktorit “Nderi i Kombit”, Kadri Roshi, u kthye në një pikë takimi të rëndësishme për kineastët, regjisorët, producentët dhe artistët.
Kuçova nuk hap vetëm dyert e një festivali. Ajo hap një dritare drejt botës, drejt ideve, kulturave dhe historive njerëzore që, përmes gjuhës universale të kinemasë, na afrojnë me njëri-tjetrin. Historia e kinemasë na mëson se çdo epokë sjell gjuhën, mjetet dhe sfidat e veta dhe pikërisht në këtë udhëtim të pandërprerë të ndryshimit, ju, krijuesit e pavarur, keni një rol të veçantë. Ju nuk prisni që historia t’ju trokasë në derë. Ju i kërkoni ato në jetën e përditshme, në ndërgjegjen njerëzore, në konfliktet e shoqërisë, në ëndrrat, në kujtimet dhe në të vërtetat që ndonjëherë mbeten të pashprehura. Ju guxoni të krijoni jashtë rrugëve të zakonshme, të eksperimentoni me gjuhën filmike.”- u shpreh kineasti kuçovarë Skënder Jaçe.
Ky festival mbajti edicionin e tij të parë në 90-vjetorin e kinemasë. Godina, e cila më herët kishte funksionuar si bibliotekë shkencore me një pasuri të madhe materialesh akademike, u shkatërrua gjatë trazirave të vitit 1997.
Me rikonstruksionin e plotë dhe rikthimin me dinjitet të një ndërtese që përcjell art, dëshmohen përpjekjet e mëdha që janë bërë jo vetëm për të gjallëruar një qytet si Kuçova, por edhe për të afruar të gjitha brezat drejt artit dhe kulturës.
Dëshmi e kësaj përpjekjeje është edhe organizimi për herë të parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur.
Me një organizim serioz, ky festival solli një ofertë filmike me një shtrirje të gjerë gjeografike. Kineastë, regjisorë, producentë dhe artistë nga e gjithë bota u mblodhën në Kuçovë në një ngjarje të re kulturore, që synon ta kthejë qytetin e naftës dhe aviacionit në një qendër ndërkombëtare të kinemasë, artit dhe dialogut kulturor.
Festivali u organizua me iniciativën e Bashkisë Kuçovë, me kryetar Kreshnik Hajdari, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.
“Më vjen mirë, sepse e kuptojmë edhe nga mesazhet apo kontaktet që kemi me qytetarët e përditshëm që na duket vetja për pak ditë mbase më tepër se nga Kuçova. E kam thënë edhe përpara se të nisnim aktivitetin, jo vetëm në prononcimet publike, por edhe me miqtë me të cilët organizuam këtë festival. U thashë se do të flisnim në fund dhe do të më pëlqente t’i zhgënjeja në mënyrë pozitive. Për aq sa mund të kontribuojmë në rritjen e dashurisë së tyre për kulturën, artin, filmin dhe kinemanë në veçanti, mua më vjen mirë që edhe nga kjo grupmoshë kemi marrë një ndjesi pozitive. Besoj se po arrijmë, të paktën për komunitetin e Kuçovës, t’u japim të gjitha grupmoshave mundësinë të jenë pjesë e një aktiviteti të mirë.”u shpreh Kreshnik Hajdari.
Përgjatë gjithë ditëve, publiku ndoqi nga afër në sallë një gamë të gjerë filmash nga të gjitha kategoritë.
Me synimin për ta kthyer në një traditë të përvitshme, KIF shfaqi filma nga 40 vende të botës, nga vendet fqinje deri në Australinë e largët. Sipas organizatorëve, festivali ka ngjallur interes të madh në industrinë ndërkombëtare të filmit, me rreth 3 200 aplikime.
Veprat u vlerësuan nga figura të njohura të kulturës dhe medias shqiptare, si Rajmonda Bulku, Petrit Beci, Beti Njuma, Valentin Vejzi dhe Klodiana Misto.
“Së pari, më lejoni të përgëzoj ata që e kanë sjellë këtë festival këtu. Është vërtet një aktivitet shumë i rëndësishëm që sapo ka lindur. Nuk mjafton vetëm përgëzimi, por duhet ta mbështesim këtë aktivitet që të vazhdojë dhe të zhvillohet më tej. Unë jam djali i këtij qyteti, siç thatë edhe ju, i lindur dhe i rritur këtu, dhe kjo më bën të ndihem shumë krenar për këtë iniciativë. Nuk është rastësi që ky aktivitet zhvillohet këtu. Në këtë ndërtesë kam kaluar fëmijërinë time dhe mbaj mend aktivitete shumë serioze e cilësore. Është një vazhdimësi artistike që ka lindur dhe që po vijon me këtë aktivitet kaq serioz dhe të rëndësishëm.”- , u shpreh Valentin Vejzi
“Duhet të përkrahim edhe iniciativat e tyre për të organizuar një festival ndërkombëtar të filmit të pavarur. Nuk është e lehtë, sepse kërkon një mbështetje financiare dhe një buxhet jo të vogël. Mendoj se e kanë realizuar në kushte jo fort modeste. Si kudo, ka filma shumë të realizuar, filma të mirë dhe filma me nivel mesatar, por e rëndësishme është se kemi një gjeografi shumë të gjerë, që sjell kultura dhe krijimtari nga vende të ndryshme të botës, nga Australia deri në Amerikë e Kinë, në Izrael dhe në të gjitha vendet e Europës. Mendoj se është një gjë shumë e mirë, sepse përvoja e fituar do t’i ndihmojë organizatorët për festivalin e ardhshëm. Ata kanë deklaruar se synojnë ta kthejnë në një aktivitet tradicional.”- tha Petrit Beci.
Si anëtar jurie, Petrit Beci kishte edhe një sugjerim për organizatorët.
“Do t’ju sugjeroja të bëni një lloj klasifikimi, në mënyrë që filmat të mos shpërndahen shumë në të katër kategoritë, sepse është pak e vështirë. Kërkohen edhe juri të specializuara për secilën kategori, përveç një jurieje të përgjithshme, sepse secila ka specifikat e veta. Dokumentari ka specifikat e veta, filmi vizatimor dhe ai i animuar kanë specifikat e tyre, ashtu si edhe filmi me metrazh të shkurtër dhe të gjatë. Mendoj se interesi do të vijë duke u shtuar, sepse në Shqipëri ishim përqendruar pak te festivalet që zhvillohen në Tiranë dhe shpërndarja gjeografike i bën mirë edhe jehonës së këtij vendi. Pavarësisht problemeve që ka, arti dhe kultura ndikojnë pozitivisht në njohjen e vendit.”
“Është mirë që festivali është ndërkombëtar. Kemi marrë pjesë edhe vetë me filmat tanë në festivale të tilla, por kjo është hera e parë që jemi pjesë e jurisë. Është një punë e madhe dhe kërkon shumë kujdes, sepse ka një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme filmash. Debatet, bashkëpunimi dhe diskutimet mes anëtarëve të jurisë janë pjesë e procesit. Por unë dua t’i shoh filmat në ekranin e madh, çdo detaj dhe çdo sekondë. Ekrani i madh është një pasqyrë më e madhe. Në ekranin e vogël mund të të shpëtojnë edhe detaje elementare. Ne e duam ekranin e madh. Është shumë bukur që kjo kinema të kthehet në traditë, sepse pas dhjetë vitesh bëhet njëqindvjeçare.”tha Rajmonda Bulku.
Festivalin e prezantoi aktorja e njohur Mariana Kondi.
“Vlera ka qenë profesionalizmi në çdo aspekt, duke filluar nga pjesëmarrja në festival, pranimi i filmave dokumentarë, me metrazh të gjatë e të shkurtër, filmave të animuar, ardhja e personaliteteve dhe e regjisorëve në qytetin e Kuçovës. Sigurisht, edhe unë pata kënaqësinë të jem moderatore dhe për mua ishte një përvojë e veçantë, për herë të parë.”
Vetë qyteti përgatitet për një mënyrë tjetër të të bërit kinema. Ky festival do të mbetet dhe do të jetë i përvitshëm.
Kuçova do të fitojë njohje, pse jo edhe në fushën e turizmit. Qyteti ka një histori të vjetër dhe vende shumë të bukura piktoreske. Ka mundësi të prezantohet edhe si destinacion turistik, por pika e takimit mbetet arti.”
Organizatorët synuan që festivali të ishte edhe një festë kulturore, që promovon historinë, trashëgiminë dhe potencialin turistik të Kuçovës dhe Beratit.
Festivali, i cili u zhvillua në një muaj të rëndësishëm si Tetori Rozë, përcolli edhe një mesazh sensibilizues përmes vendosjes së fjongos nga personeli i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kuçovë.
Me edicionin e tij të parë, Kuçova International Independent Film Festival synon të krijojë një traditë të re kulturore, duke e pozicionuar këtë qytet si një destinacion të rëndësishëm të kinematografisë rajonale dhe ndërkombëtare. Me ndarjen e çmimeve u mbyll edicioni i parë i tij, por jo rrugëtimi i festivalit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




