Spiropali-Berishës: Mendon se je zgjedhur në krye të PD, por je nisur drejt askundit! Për interesat e tua, gati të djegësh vendin

Ministrja Elisa Spiropali dhe Sali Berisha janë përfshirë në një debat ditën e sotme në Kuvend, kjo pasi ish-kryeministri akuzoi qeverinë si armike kryesor të lirisë së fjalës në vend.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se kryeministri Edi Rama ushtron presion mbi organet e mediave në rast se linjat editorale të tyre nuk përputhen me qeverinë.
“Dy janë armiqtë më kryesorë të fjalës së lirë në Shqipëri, njëri quhet Edi Rama, i cili përveç sjelljes së dhunshme verbale, përveç fyerjeve, ndëshkimeve absurde të gazetarëve për shkak të pyetjeve që i bëjnë, krijoi edhe agjencinë e disinformimit i frymëzuar nga regjimet autokratike, përgatit ligjet për të dënuar të gjitha portalet që nuk i nënshtrohen atij. Ndërmerr sanksione dhe ushtron presion mbi organet e mediave në rast se linjat editorale të tyre nuk përputhen me qeverinë”, tha Berisha.
Spiropali iu përgjigj menjëherë duke i thënë se nuk mund të flasë për lirinë e medias një person i “damkosur mbi minimin e demokracisë në Shqipëri”, referuar shpalljes së tij “non grata”. Spiropali përmendi edhe zgjedhjen e Berishës në krye të PD, ku tha se ish-kryeministri është nisur drejt rrugës së askundit dhe se për interesat e tij është gati të djegë edhe vendin.
“Mendon se je zgjedhur dje në krye të PD, por ngjan si një rrugë qorre që ngado t’i biesh, në fund del në askund. Je nisur drejt rrugës së askundit, por ke marrë me vete dhe ata të gjorë që të ndjekin dhe i ke mbyllur çdo shteg PD dhe opozitës. Ti për veten tënde, për familjen tënde, ke gati të djegësh, jo partinë, pro Shqipërinë dhe këtë e ke dëshmuar. Dhe kur flet t’i për lirinë e medias, uroj të mos i vijë kujt këtu të ulërijë. Përmend Ramën për regjimin, por Rama është simbol gazetarit të dhunuar nga regjimit. Koha kur gazetarët plagoseshin në protestë ka shkuar me ikjen e Sali Berishës. Koha kur TV u viheshin shiritat Sali, ka kaluar me perëndimin tënd dhe ikjen tënde nga pushteti. Të gjitha të zezat që i kanë ndodhur lirisë së medias në këtë vend janë pjesë e damkës që të janë vënë ty mbi minimin e demokracisë në Shqipëri. Të ngrihet një njeri i damkosur ndërkombëtarisht për raportin e tij me lirinë është e habitshme”, u shpreh Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



