Spiropali : Ligji për Prokurimin Publik garanton konkurrueshmërinë dhe thellon transparencën

Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, sot është zhvilluar mbledhja e radhës e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit, në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.162/2020, “Për Prokurimin Publik”, i cili u prezantua nga Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe u relatua nga kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka.
Për shkak të zhvillimit normal të komisioneve parlamentare, mbledhja është zhvilluar online , ku gjatë parashtrimit të saj ministrja Spiropali, u shpreh se ndryshimet ligjore propozohen në kuadër të procesit të integrimit dhe nevojës për përafrimin e legjislacionit me dy Direktiva të BE, si dhe në kuadër të angazhimeve të marra në takimin dypalësh në takimin për Kapitullin 5 në Bruksel në kuadër të procesit “screening”.
Gjatë fjalës të saj, ministrja nënvizoi se, ky projektligj ndryshon rrënjësisht procedurat e prokurimin publik, garanton konkurrueshmërinë, parashikon prezantimin e teknologjisë së avancuar në këto procedura, thellon transparencën, si dhe rrit eficiencën e administratës publike.
“Këto ndryshimet vijnë për të adresuar disa problematika të dala gjatë zbatimit të ligjit aktual në praktikë, të lidhura kryesisht me organizimin e kuadrit institucional, si dhe zhvillimit teknologjik të aspekteve të ndryshme të procesit të prokurimit, duke futur konceptin e inteligjencës artificiale dhe automatizimit të proceseve në sistemin e prokurimit elektronik dhe ndërveprimin e këtij të fundit me sisteme të tjera”, u shpreh Spiropali.
Duke detajuar më tej risitë e projektligjit Spiropali renditi përdorimin e teknologjisë dhe inovacionit në disa elemente të procesit që do ndikojë në rritjen e transparencës dhe lehtësimin e procedurave për operatorë ekonomikë; normimin në ligj të konceptit të sistemit elektronik të ankesave dhe sistemit të menaxhimit të zbatimit të kontratave sisteme të reja që mundësojnë zhvillimin me mjete elektronike të procesit të rishikimit administrativ në fazën e menaxhimit kontraktual publik; përcaktimin e konceptit të pasaportës së prokurimit publik dhe dosjes virtuale të operatorit ekonomikë; etj.
Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen me propozimet e bëra nga relatorja dhe në tërësi projektligjin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




