Studentët kërkojnë liri për çlirimtarët, të rinjtë i bashkohen protestës kundër “Hagës”

Kosovë | 41 minuta më parë

Dënim të padrejtë e cilësuan studentët e Universitetit të Prishtinës, por edhe të shkollave të tjera të larta të Kosovës, vendimin që Gjykata Speciale dha për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

Në një marshim që nisi në Qendrën e Studentëve me destinacion Sheshin Skënderbeu, ku u mbajtën fjalime, të rinjtë theksuan se asnjë vendim dhe asnjë gjykatë nuk mund të ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët e vendit.

Nuk pranojmë asnjë gjykim të padrejtë apo dënues ndaj atyre që na e mundësuan këtë liri. Rinia e Kosovës sot jeton e lirë në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik. Duke respektuar e mbrojtur të gjitha minoritetet në Kosovë, një popull që ka qenë i shtypur për vite me radhë e di mirë se çfarë do të thotë ta përjetosh padrejtësinë, prandaj nuk ia dëshirojmë atë askujt. Përmes këtij mesazhi dua t’ju drejtohem si atyre që sot ndodhen padrejtësisht në Hagë, ashtu edhe të gjithë botës demokratike: nuk ka gjykatë e as vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët tanë.”

Ndër të tjera, të rinjtë theksuan se nuk mund të heshtin përballë padrejtësisë që iu bëhet atyre që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë.

Sot Prizreni nuk është mbledhur për të folur, sot Prizreni dhe Kosova është mbledhur për të folur. Dhe zëri që dëgjohet sot është zëri i studentëve. Ne jemi një gjeneratë që nuk e kemi përjetuar luftën, por kemi lindur në lirinë që erdhi pas saj. Kemi ardhur në universitete, kemi ndërtuar ëndrra dhe kemi planifikuar të ardhmen sepse dikush para nesh luftoi që ne mund ta bëjmë këtë. Prandaj, kur preket e kaluara jonë, kur diskutohet sakrifica e atyre që luftuan dhe kur familjet e tyre vazhdojnë të mbajnë mbi supe peshën e asaj kohe, ne nuk mund të sillemi sikur nuk na përket.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme