Sulmet ruse mbi Kiev dëmtojnë zyrën e delegacionit të BE, Kos: Rusia zgjedh terrorin në vend të paqes

Sulmet ruse në Kiev kanë shkaktuar dëme të mëdha në zyrën e Bashkimit Evropian në Kiev.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos me një reagim në rrjetin social X, ka dënuar sulmet, duke deklaruar se Rusia po tregon edhe njëherë se zgjedh terrorin në vend të paqes. Ajo ka shprehur solidaritetin e saj në drejtim të stafit të BE-së dhe popullit ukrainas që po përballen me agresionin rus.
“Delegacioni i BE-së në Kiev u dëmtua nga sulmet e sotme ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po durojnë këtë agresion”, shkruan Kos.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe t’u bashkohet bisedimeve për negociata për marrëveshjen e paqes.
Pas dëmtimeve që pësoi zyra e delegacionit të BE-së prej sulmeve ruse, Von der Leyen siguroi se stafi i delegacionit është i sigurt.
“Një natë tjetër me bombardime të pamëshirshme të Rusisë goditi infrastrukturën civile dhe vrau të pafajshëm. Gjithashtu goditi Delegacionin tonë të BE-së në Kiev. Stafi i Delegacionit tonë është i sigurt. Rusia duhet të ndalojë menjëherë sulmet e saj diskriminuese ndaj infrastrukturës civile dhe të bashkohet me negociatat për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkruan Von der Leyen në rrjetin social X.
Rusia nisi një valë të re sulmesh mbrëmjen e djeshme (28 gusht) në Kiev, duke goditur zonat e banuara të kryeqytetit dhe duke vrarë dhjetëra persona.
Ky është sulmi më i madh në kryeqytetin ukrainas që nga 31 korriku, kur u vranë më shumë se 30 persona. Sulmi i mëparshëm ajror rus i ngjashëm ishte më 21 gusht, duke përfshirë 574 dronë dhe 40 raketa dhe duke synuar kryesisht Ukrainën Perëndimore. Ai vrau të paktën një person dhe plagosi më shumë se 20.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




