Takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor/ Rama: Vendet do kenë mbështetje financiare nga BE

Kryeministri Edi Rama teksa ka folur pas takimit informal në kuadër të Samitit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor, kreu i qeverisë i është përgjigjur interesimit të gazetarëve se përse mungoi kryeministri i Kosovës në këtë takim.
Rama nuk u ndal gjatë për të komentuar mungesën e Albin Kurtit teksa theksoi se “nuk shoh asnjë interes sepse kush deshi erdhi, kush s’mundi nuk erdhi”, u shpreh Rama gjatë konferencës për mediat.
Gjithashtu Rama u shpreh se takimi informal me komisionerin e Zgjerimit dhe liderët e Ballkanit Perëndimor konstaton në mbështetjen që pritet të japë Bashkimi Evropian për këto vende.
“Një plan i ri mbështetje ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur. Për këtë ne e zhvilluam këtë takim se si vendet e Ballkanit Perëndimor, se si mund t’u hapen disa shtigje të zhvillimit ekonomik pa u integruar në Bashkimin Evropian”, theksoi Rama.
Ai shtoi se aktualisht nuk mund të flitet për fushat konkrete të mbështetjes financiare nga ana e BE-së, por ka një sinjal të qartë në këtë drejtim kundrejt Ballkanit Perëndimor.
“Nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete sepse ky plan është ende në diskutim. Presidentja e Komisionit Evropian në Bratislavë dha një sinjal të qartë për objektivat e këtij plani. Ndërkohë që jemi shumë herët se sa dhe pse një vend tjetër do të marrë. Por duhet ta shohim rajonin si një e tërë”, theksoi ai.
Takimi i sotëm me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, u mbajt në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor. Në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në një aktivitet tjetër në Greqi.
Çfarë është Procesi i Berlinit
Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.
E prezantuar me 28 gusht nga kancelarja Anglea Merkel, Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Europian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare, bazuar në miratimin e akuis komunitar, apo tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




