Takimi me vendet e QUINT-it për krizën në veri/ Vuçiç: Më mirë të mos them asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk ka pranuar të komentojë asgjë pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUNT-it për krizën në veri të Kosovës.
“Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUNIT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Vuçiç ka takuar sot përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe shefin e delegacionit të BE-së.
Takimi ka ndodhur një ditë pasi Policia e Kosovës ka arrestuar serbin Millun Millenkoviç-Lunet në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bëri të ditur se Millenkoviç ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan në protestat e dy javëve më parë.
Tensionet në veri të Kosovës u shtuan në fund të majit kur policia e Kosovës shoqëroi kryetarët e rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe. Komuniteti ndërkombëtar e ka fajësuar Kosovën për situatën e krijuar në veri.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka përgatitur sanksionet kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




