Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut/ Kurti: Të bashkërendojmë projektet mes dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar homologun e tij, Talat Xhaferin për zgjedhjen si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Në mesazhin e tij për Xhaferin, Kurti shkruan se bashkërendimi për projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të jenë shënjues të dy qeverive.
“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë.
Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka shkruar Kurti.
Xhaferi u emërua si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që merr postin e kreut të qeverisë së këtij vendi.
Me 65 vota pro dhe 3 kundër deputetët votuan qeverinë teknike e cila do të jetë në detyrë për rreth 100 ditë.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë ata ashtu edhe siç paralajmëruan nuk votuan për qeverinë teknike, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent në sallë.
Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parashikon që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me ato presidenciale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




