Taulant Stërmasi, trajneri i vitit në Europë

Taulant Stërmasi është shpallur trajneri i vitit nga Federata Europiane e Atletikës. Një vendim që është marrë në Talin, ndërsa shpallja Kampion Europe e Luiza Gegës ka ndikuar dhe në kandidaturën e tij nga Federata Shqiptare e Atletikës për t’ia dhënë emrin e Stërmasit ndërkombëtarëve. Dorëzimi i certifikatës është bërë të premten nëpërmjet ceremonie në të cilën kanë marrë pjesë dhe zyrtarët më të lartë të Federatës Shqiptare të Atletikës, presidenti Gjergji Ruli dhe sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi.
“Rezultatet e arritura deri më tani – thotë Stërmasi – ia dedikoj sportistëve të mi, të cilët kanë sakrifikuar shumë, kanë derdhur djersë e mund në pistat e atletikës. Janë 22 vite që merrem me atletikën dhe nëse nuk do të ishin këta sportistë, atëherë do të isha një njeri krejt normal, që do të merresha me punët e mia”, thotë Stërmasi.
Sigurisht që për këtë çmim për Stërmasin ndihet mirë dhe Kampionia e Europës në 3000 metra me pengesa, apo dhe rekordmenia e Shqipërisë, Luiza Gega
“Arsyeja që ia dedikoj rezultatet e mia trajnerit tim është fakti që ka bërë punë të madhe me mua. Kemi 15 vite që punojmë së bashku dhe gjithmonë ka besuar tek unë. Që do të thotë se gjithnjë kemi qenë me mendimin se do t’ia arrijmë. Kështu që e falënderoj për çfarë ka dhënë për mua, sepse ndryshe pa trajnerin tim nuk do të isha askushi”, shpjegon Gega.
Nuk kishin se si të mungonin përpara medieve komentet e presidentit Ruli dhe sekretarit Dionisi për këtë çmim për trajnerin Stërmasi.
“Rezultatet e Taulantit me Luizën, apo dhe me atletë të tjerë, kanë qenë të shkëlqyera për atletikën shqiptare. Kanë sjellë një ringjallje të atletikës shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe kjo nuk është pak”, thotë Gjergji Ruli.
“Shpresoj – shpjegon Dionisi – që 2023 të jetë një vit i frytshëm për të gjithë atletikën shqiptare. Në mënyrë të veçantë për Luizën, Izmirin dhe të tjerë. Janë rezultate që nuk arrihen lehtë, ndaj dhe suksese të gjithëve”.
Stërmasi ka shpallur dhe objektivat për 2023-in, aq më tepër që garat e vitit të ardhshëm janë dhe normë kualifikimi për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
“Objektivi më i afërt – shpjegon Stërmasi – janë kualifikimi për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, por në të njëjtën kohë dhe të bëjmë më mirë se ky vit që iku, së bashku me Luizën dhe atletë të tjerë”.
Për Stërmasin ky është çmimi i dytë, kjo pas atij që dha pak kohë më parë Universiteti “Marin Barleti”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




