Të droguar në timon/ Në 8 muaj, tridhjetë drejtues automjetesh në pranga vetëm në Tiranë

Aktualitet | 3 vite më parë

Tridhjetë drejtues automjetesh janë prangosur vetëm në Tiranë, nga janari deri në mes të muajit gusht, pasi janë konstatuar duke qarkulluar në rrugët e kryeqytetit nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Rrugore, duke u bazuar në këto rezultate,  vijon kontrollet e dedikuara, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Kontrollet në terren bëhen nga Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Forcës së Posaçme Shqiponja.

Aparati AquilaScan, iu dha efektivëve rrugor në të gjithë vendi në prillin e vitit të shkuar, me qëllim identifikimin e drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit nën efektin e lëndëve psikotrope.

Të rinjtë rezultojnë si përdoruesit më të shpeshtë të lëndëve narkotike gjatë drejtimit të automjeteve, duke u bërë shkak për aksidente fatale në rrugët e vendit.

Pajisja aquilascan është një pajisje e thjeshtë që funksionon përmes mostrave të pështymës, pas analizimeve të të cilave, efektivi dokumenton nëse drejtuesi i mjetit ka konsumuar apo jo lëndë narkotike gjatë drejtimit të mjetit.

Pajisja drogë-testuese në më pak se 3 minuta është në gjendje të identifikojë dhe llojin e lëndës narkotike që mund të ketë konsumuar drejtuesi automjetit.

Gazetare: Flutura Tota 

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme