Të shumëkërkuarit që fshihen në Dubai/ Ministri i Drejtësisë, Manja: Mungon bashkëpunimi për ekstradim

Politikë | 4 vite më parë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka bërë të ditur se me autoritetet e Dubait mungon bashkëpunimi praktik për të ekstraduar për në Shqipëri të gjithë të shumëkërkuarit që i fshihen drejtësisë në këtë vend. 

Gjatë fjalës së tij pas mbledhjes së qeverisë, Manja vuri në dukje se janë nënshkruar marrëveshje me Dubain sa i përket bashkëpunimit për të shumëkërkuarit, por secili vend sipas Manjës, ndjek politikat e veta.  

“Nuk është mungesë bashkëpunimi e autoriteteve shqiptare për të pasur një marrëveshje dypalëshe edhe me Dubain. 
Secili shtet në nënshkrimin e marrëveshjeve ndjek politikat e veta. Bashkëpunimin e realizojmë në bazë të Konventave që janë ratifikuar edhe nga ne, por edhe nga autoritetet e Dubait. 

Sigurisht mungon bashkëpunimi praktik me autoritetet e Dubait por kjo nuk do të thotë që ne do të reshtim së kërkuari që të kemi një marrëveshje me autoritetet e Dubait për ekstradimin e personave të krimit që fshihen atje”, u shpreh Manja.

Në këtë mënyrë të shumëkërkuarit si Plaurent Dervishaj dhe Florenc çapja të cilët fshihen në Dubai po gjykohen në mungesë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ndërkaq, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi para pak javësh,  në vizitën e tij zyrtare në Arabinë Saudite ka nënshkruar me homologun e tij, Princi Abdulaziz bin Saud bin Nayef bin Abdulaziz, marrëveshjen në fushën e sigurisë për të luftuar kundër krimit të organizuar.

Në këtë takim, Çuçi ka theksuar se kjo marrëveshje synon që përveç krimit të organizuar të luftojë edhe krimin kibernetik, terrorizmin dhe të gjitha format e tjera që destabilizojnë sigurinë e dy vendeve por pa specifikuar nëse ka një marrëveshje ekstradimi dypalëshe. 

Në këtë marrëveshje parashikohet që Policia e Shtetit të rrisë kapacitetet për përballimin e krimit me shtrirje ndërkombëtare.

“Kjo marrëveshje mundëson një bashkëpunim më të drejtpërdrejtë në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër krimit kibernetik, terrorizmit dhe të gjitha formave të tjera të paligjshmërisë që destabilizojnë sigurinë në rajonet përkatëse. Gjithashtu marrëveshja kontribuon në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh në zhvillimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për përballjen me krimin transnacional. Duke punuar së bashku ndërtojmë një ekosistem të sigurt dhe të qëndrueshëm për të garantuar prosperitetin e vendeve tona”, shprehet ministri Çuçi.

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme