Telefonata e parë Biden – Erdogan, udhëheqësit pajtohen për bashkëpunim më të madh

Botë | 6 vite më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, JoeBiden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky është komunikimi i parë i drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy vendeve aleate të NATO-s, raportet e të cilave janë dobësuar shumë. Telefonata e shumëpritur ndodhi mbi tre muaj pas inaugurimit të Bidenit, një sinjal se ai nuk do të mbajë të njëjtin kurs ndaj udhëheqësit turk, sikurse paraardhësi i tij DonaldTrump. Më 24 Prill, në Ditën Përkujtimore të masakrës ndaj armenëve, Biden pritet të deklarojë se vrasja dhe dëbimi i tyre në Perandorinë Osmane më 1915 ishte genocid. Agjencia e lajmeve Reuters, duke ju referuar burimeve të saj, raportoi se Biden i ka bërë me dije Erdoganit se e ka në plan të njohë masakrën ndaj armenëve si genocid. Por, në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë kjo çështje nuk u përmend. “Presidenti Biden bisedoi me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe tregoi interesin e tij për marrëdhënie konstruktive bashkëpunimi dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve“, u tha në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Njoftimi shton se të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen në kuadër të samitit të NATO-s në muajin Qershor. Ndërkaq në një njoftim të Presidencës turke thuhet se Erdogan dhe Biden ranë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme