Tensione në protestën e opozitës! Deputetët e PD përplasen me Gardën, tentojnë të futen në Parlament

Partia Demokratike e Rithemelimit ka nisur protestën e paralajmëruar më herët, përpara Parlamentit. Deputetë të opozitës dhe mbështetës të kësaj force politike u mblodhën fillimisht para selisë blu dhe iu drejtuan më pas godinës së Parlamentit, aty ku ishte vendosur gjithashtu edhe kordoni me efektivët e policisë.
Deputetët e përjashtuar të opozitës, kanë tentuar futjen në Parlament, duke krijuar tensione dhe përplasje me gardën e cila nuk lejoi hyrjen e tyre gjatë punimeve të seancës.
Deputeti Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat, u shpreh se vendimi i Parlamentit për përjashtimin e deputetëve është antikushtetues. Bylykbashi bëri thirrje për hetimin e asaj të cilën ai e konsideroi si afera McGonigal, që sipas tij, synon shkatërrimin e pluralizmit dhe vendosjen e qeverisjes autokratike të Edi Ramës. Bylykbashi u shpreh më tej se “Kemi vendosur të mos ketë seanca normale të Parlamentit pa u garantuar e drejta kushtetuese. Rama të përgjigjet për këtë aferë”.
Komisioni i Etikës vendosi të martën përjashtimin e 6 deputetëve të PD nga Kuvendi. Ky vendim erdhi pas kërkesës së PS për shkak se deputetët krijuan kaos dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancave parlamentare. Konkretisht deputetët Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Sorina Koti janë përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Lindita Metalia me 5 ditë dhe Greta Bardeli me 3 ditë.
Kreu demokrat i Rithemelimit, Sali Berisha ndodhet ende në zyrë dhe do të shoqërohet nga një grup të rinj që ndodhen në selinë blu, për t’iu drejtuar më pas ambienteve ku do të zhvillohet protesta, përpara godinës së Parlamentit. Më tej, Berisha do të mbajë fjalën e tij, në fokus të së cilës do të jetë çështja Mcgonigal, mocioni për të cilën do të zhvillohet më 2 mars.
Protesta e sotme e Rithemelimit, vjen pas tubimit të mbajtur më 16 shkurt, ku demokratët me pankarta në duar dhe thirrjet “Rama ik” kërkuan largimin e kryeministrit duke e akuzuar atë si të korruptuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




