Tensionet me Ukrainën, Rusia shton praninë luftarake në Detin e Zi

Botë | 6 vite më parë

Dy anije luftarake ruse kaluan ngushticën e Bosforit për të shkuar në Detin e Zi të shtunën ndërsa 15 anije më të vogla u vendosën në det ndërsa Moska shton prezencën e saj detare në një kohë thellimi tensionesh me Perëndimin dhe Ukrainën. Përforcimet detare ruse përkojnë me shtimin e trupave të shumta pranë kufirit me Ukrainën, të cilin Moska e ka quajtur një stërvitje të përkohshme mbrojtjeje. Veprimet vijnë pas shkallëzimit të luftimeve në pjesën lindore të Ukrainës mes seperatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare ukrainase.

Marrëdhëniet e Rusisë me Uashingtonin, i cili anuloi dislokimin e dy anijeve luftarake amerikane në Detin e Zi javën e shkuar pas reagimeve të ashpra të Kremlinit, janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Moska dëboi 10 diplomatë amerikanë të premten në shenjë hakmarrjeje për dëbimin e të njëjtit numër diplomatësh rusë nga Shtetet e Bashkuara për aktivitete malinje, sipas Uashingtonit. Rusia po ashtu ka kufizuar përkohësisht lëvizjen e anijeve të huaja luftarake “dhe anijeve të tjera shtetërore” pranë Krimesë, të cilën e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, një veprim i dënuar nga Kievi dhe Uashingtoni.

Dy anije ruse zbarkimi nga Flota Veriore e Rusisë, të afta për transportimin e tankeve, trupave dhe mjeteve të blinduara gjatë sulmeve bregdetare, kaluan përgjatë Bosforit të shtunën, sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve Reuters i cili i kishte parë ato. Agjencia shtetërore ruse e informimit, RIA, njoftoi të shtunën se 15 anije më të vogla nga Flota Kaspike e Rusisë tashmë ishin vendosur në Detin e Zi si pjesë e një manovre ushtarake.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme