Tensionet në veri/ Mediat në Beograd: Serbët në Kosovë do ta formojnë vetë Asociacionin

Rajon | 3 vite më parë

Serbët në Kosovë po planifikojnë të fillojnë vetë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas medias serbe “Blic“,  serbët do të mbajnë Kuvend ku edhe do të shpallin Asociacionin.

“Plani është që së shpejti të fillojë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe organeve të tij, dhe Dragisha Miloviç, mjek dhe ish-kryetar i Komunës së Zveçanit, do të propozohet për kryetar të parë.”, thuhet në artikull.

Për këtë vendim raportohet se kanë ndikuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar më shumë se 10 vjet më parë dhe se Asociacioni nuk është formuar dhe pas gjithçkaje që kemi duruar ditët e fundit, është e qartë se askush nuk e dëshiron realisht: as qeveria në Prishtinë, as bashkësia ndërkombëtare. Prandaj ne do t’i marrim gjërat në duart tona”, theksohet më tej.

Në shkrim theksohet se struktura e Asociacionit do të përbëhet nga Kuvendi, Presidenti, Kryetari, Këshilli, Bordi, Administrata dhe Zyra e Ankesave.

Kujtojmë se tre efektivët e Kosovës ndodhen në paraburgim në Serbi, ndërsa ngjarja ka tensionuar edhe me tej marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Pretendimet e dy vendeve janë kontradiktore, ku Kosova ka deklaruar se efektivët u rrëmbyen nga forcat serbe në territorin e Kosovës, ndërsa Serbia e konsideron arrestim, duke thënë se efektivët ishin në territorin e tyre  dhe të armatosur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme