Tensionet në veri, NATO: Po i marrim shumë seriozisht, palët të respektojnë detyrimet e marrëveshjes së 2013-ës

NATO ka deklaruar se po merr seriozisht të gjitha hapat për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes në veri të Kosovës. Organizata e Traktatit të Atlantikut të veriut, përmes zëdhënëses Oana Lungesku, e cila në një postim në Twitter është shprehur se i ka marrë shumë seriozisht ngjarjet e shënuara së fundmi në veri të Kosovës.
“Misioni paqeruajtës i KFOR që drejtohet nga NATO po merr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetit në Kosovë, siç është autorizuar nën rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së.
Angazhimi i KFOR për zbatimin e mandatit të tij është i palëkundur, sië është dëshmuar së fundmi nga dislokimi i 500 trupave shtesë”, theksoi Lungesku në një postim në Twitter.
Edhe njëherë i kujtojmë të gjitha palëve detyrimet e tyre ndaj KFOR në marrëveshjen ushtarake teknike, përfshi respektimin e vijës kufitare administrative, procedurave për policinë e Kosovës dhe marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimini e forcave të sigurisë së Kosovës në veri. Këto detyrime janë projektuar për të siguruar veprim të koordinuar, shmangje të përshkallëzimit dhe ruajtjen dhe garantimin e një mjedisi të sigurt”, theksoi zëdhënësja e NATO në postimin e saj.
Sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kosovës, që i dha fund luftës në Kosovë, KFOR është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.
Më 14 qershor, në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, janë arrestuar tre policë kufitarë të Kosovës nga forcat serbe. Serbia pretendon se ata janë arrestuar “thellë” brenda territorit të saj. Por, Kosova thotë se ata janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
KFOR-i, si përgjegjësi kryesor për sigurinë e territorit të Kosovës, ka thënë më 16 qershor se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.
Ndaj tre policëve të Kosovës, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë policët e Kosovës, që sipas Uashingtonit, po mbahen në paraburgim nën akuza të pabaza.
Rasti i tre policëve të Kosovës vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Serbët në këtë zonë po protestojnë që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




