Tërmeti në Marok/ Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit, rritet numri i viktimave

Botë | 3 vite më parë

Ekipet e shpëtimit në Marok ende po përpiqen të gjejnë të mbijetuar nga tërmeti shkatërrues i së Premtes, i cili ka vrarë mbi 2.100 njerëz dhe ka lënë më shumë se 2.400 të plagosur.

Puna është përqendruar tani te zonat më të largëta të Maleve të Atlasit, ku raportohet se disa fshatra janë rrafshuar dhe qëndrojnë të bllokuar nga shkëmbinjtë e rrëzuar. Shumë prej tyre ishin ndërtuar prej balte.

Tërmeti me magnitudë 6,8 ra 72 kilometra në jug-perëndim të qytetit antik të Marakeshit, një destinacion popullor turistik.

Pasojat më të rënda, goditja sizmike i la në provincën epiqendër të Al-Hauzit, ku autoritetet kanë regjistruar më shumë se 1.350 viktima.

Të dielën, lëkundje të tjera të forta me magnitudë 4,5 tronditën rajonin.

Mbretëria marokene shpalli tre ditë zie për fatkeqësinë dhe ka filluar të pranojë ndihmën e vendeve të tjera.

Spanja njoftoi se ka nisur rreth 90 trupa, të pajisur edhe me katër qen shpëtimi, “për të ndihmuar në Marakesh me aksionet e kërkimit dhe shpëtimit të të mbijetuarve”.

Maroku informoi se ka kërkuar ndihma edhe nga tri vende të tjera, si Britania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndonëse shumë vende kanë kërkuar të përfshihen, Maroku tha se ka pranuar vetëm ofertat e katër vendeve “pasi mungesa e koordinimit do të ishin joproduktive”. /AJ

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme