Thirrje për “federatë”, Basha: Ndjesë demokratëve, trashëgova një parti të diktatit personal
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka nisur fjalimin e tij para Kuvendit Kombëtar të partisë me një ndjesë për demokratët dhe shqiptarët për situatën ku e gjen veten grupimi i tij dhe Shqipëria prej qeverisë shqiptare.
“Ne nuk ju gënjyem, as nuk ju premtuam përmbysje imagjinare që nuk ndodhën kurrë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen ku ndodhet PD-ja për shkak të liderit të papërgjegjshëm të ish-liderit të saj. Për ne lufta ndaj krimit dhe korrupsionit politik kudo është e pakompromis, dhe nuk ka aleanca të dukshme e të padukshme,” deklaroi Basha.
Ai akuzoi ish-kryetarin historik të partisë, Sali Berisha, se për interesa personale e ka devijuar misionin pse lindi PD-ja në vitet 90.
“Unë trashëgova një parti të transformuar nga partia e studentëve të dhjetorit në atë të një njeriu të vetëm, nga partia e lirisë dhe demokracisë në parti të diktatit personal. Kjo merr fund sot njëherë e përgjithmonë. Ne nuk duhet të harxhojmë më asnjë sekondë me të shkuarën,” shtoi Basha.
Kreu i demokratëve u drejtoi edhe një mesazh të tjerëve si ai krah Berishës, duke u bërë thirrje për krijimin e një federate të gjerë.
“Unë sot i bëj një thirrje miqve tanë të Foltores, anëtarëve të thjeshtë deri te strukturat e asaj lëvizje. Të gjithë kanë një vend në Partinë e madhe Demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe, jo thjesht mes demokratëve, por edhe me shoqërinë shqiptare.
Partia Demokratike ka qënë dhe do të mbetet partia e parë e së djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton. Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët. Ne do ta zgjerojmë këtë aleancë përtej këtyre partive,” u shpreh Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




