Tirana-Dinamo në RTSH, Daja: Derbi luhet për t’u fituar

Abissnet Superiore | 53 minuta më parë

Dinamo do të zbresë nesër në fushën e lojës për derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, një nga përballjet më të rëndësishme dhe me më shumë rivalitet në futbollin shqiptar.

Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, duke nisur nga ora 13:30 dhe do të transmetohet në RTSH Sport. “Blutë”, të drejtuar nga trajneri Ilir Daja, vijnë në këtë përballje pas rikthimit te fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias dhe synojnë t’i japin vazhdimësi rezultateve pozitive.

Në prag të derbit, trajneri Ilir Daja ka folur për faqen zyrtare të klubit, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj përballjeje, përgatitjet e skuadrës dhe objektivin për të marrë maksimumin.

Derbin ndaj Tiranës – “Derbi luhet për t’u fituar. Janë ndeshje që karakterizohen nga rivaliteti i madh, grinta dhe dëshira e të dyja skuadrave për të dhënë maksimumin dhe për të arritur suksesin. Në përballje të tilla kërkohet përqendrim dhe kujdes maksimal në çdo moment të lojës, pasi të gjithë e dimë se janë detajet ato që bëjnë diferencën. Duke qenë se jemi në një fazë të kampionatit ku skuadrat kanë arritur një konsolidim të manovrës së tyre, besoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar.”

Për përgatitjet dhe objektivin e Dinamos- “Kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve për ta përgatitur sa më mirë këtë përballje, me synimin e qartë për të marrë maksimumin. Sigurisht që e vlerësojmë dhe e respektojmë kundërshtarin, por ne duhet të vazhdojmë në rrugën e fitoreve, ku u rikthyem në ndeshjen e fundit. Duam t’i japim vazhdimësi këtij momenti pozitiv dhe të tregojmë sërish vlerat tona në fushën e lojës.”

Për kohën e shkurtër të përgatitjes dhe mundësinë e rotacionit – “Koha në dispozicion për përgatitjen e derbit ka qenë e njëjtë për të dyja skuadrat, ndaj nuk mendoj se kjo përbën një avantazh apo disavantazh për ndonjërën prej tyre. Jam i kënaqur me mënyrën se si kanë punuar djemtë gjatë këtyre ditëve, me seriozitet dhe përkushtim. Mund të bëjmë njëfarë rotacioni në formacion, por gjithmonë duke ruajtur ekuilibrat dhe pa cenuar manovrën e skuadrës.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme