Tiranë/ Tritol banesës së babait të Leonard dhe Elis Dukës

Aktualitet | 4 vite më parë

Shpërthen një lëndë plasëse e vendosur në derën e banesës së një 65-vjeçari në Tiranë.

Policia bën me dije se lënda plasëse është vendosur “më datë 18.04.2023, rreth orës 03:00, para derës së banesës së 65-vjeçarit M.D., në katin e katërt të një pallati te Fresku, në afërsi të Institutit të Fizikës Bërthamore, e cila si pasojë e shpërthimit ka shkaktuar dëme materiale.”

Fatmirësisht, nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk ka persona të dëmtuar, ndërsa blutë e kryeqytetit po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorit.

Sipas informacioneve siguruar nga rtsh.al, bëhet me dije se lënda plasëse është vendosur para derës së Muhamed Dukës, babait të Leonard dhe Elis Dukës, “armiqve” të të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit të 2022-shit.

Grupi hetimor ka ngritur të dyja pistat e hetimit si ajo e një mesazhi nga rivalët e klanit Duka por nuk përjashton as mundësinë që lënda eksplozive të jetë vendosur nga vetë familjarët për të penguar ekstradimin e të kërkuarit Leonard Duka që prej muaj është arrestuar në Belgjikë.

Në pyetje janë marrë fqinjët të cilët nuk  kanë dhënë shumë informacion pasi kanë thënë se kanë qenë në gjumë, ndërsa nuk është mundur të merrej në pyetje pronari i banesës pasi nuk është gjetur.

Në deklaratën e dhënë nga fqinjët e Muhamed Dukës, u bë me dije se në banesën ku u vendos lënda plasëse, nuk jetonte njeri prej 4 vitesh.

Nga shpërthimi i lëndës plasëse, është dëmtuar dhe ashensori i pallatit.

Leonard Duka njihet si kreu i “Klanit Duka’, i arrestuar rreth dy muaj më parë në Belgjikë, pas 3 vitesh arrati. Grupi kriminal i cili drejtohej nga Leonard Duka, ka pasur konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinajt i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Duka dhe Martinaj, patën përplasje të ashpra pas konfliktit për biznesin e lojërave të fatit, çka solli dhe pengmarrjen nga i shumëkërkuari i drejtësisë së babait të Leonardit. Kjo ngjarje nxiti dhe hakmarrjen e Leonardit ndaj Martinajt, duke tentuar eliminimin fizik të tij. Por pasi dështoi, Leonardi u akuzua për ekzekutimin e krahut të djathtë të Martinajt, ish-efektivin Santiago Malko në gusht të 2019-ës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme