Trafik droge drejt Italisë/Kapen 14 kg heroinë në portin e Durrësit, vihen në pranga 2 persona

Aktualitet | 4 vite më parë

Policia Kufitare e portit të Durrësit ka parandaluar dhe ka goditur një rast të tentativës për trafikim të drogave të forta drejt Italisë.

Gjatë kontrollit me qen anti-drogë janë gjendur të fshehura në autobus dhe janë sekuestruar 26 pako me lëndë narkotike heroinë, me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë.

 “Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës material”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas zbulimit të drogës është vendosur në pranga pronari i firmës së linjës së autobusëve dhe drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale “M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve  “Durrës-Milano”; P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike”

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.  Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.

“Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij  rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast”, theksohet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme