Trafikonin vepra të çmuara arkeologjike, kulti dhe arti, policia godet grupin kriminal

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Jurisdiksionit të Përgjithshëm në Fier godasin një grup kriminal të përfshirë në trafikun e veprave të çmuara arkeologjike, kulti dhe arti

Në një dalje për median, Policia e Drejtorisë Vendore Fier ka dhënë informacione për një grup kriminal që trafikonte vepra të çmuara arkeologjike, kulti dhe arti.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Vlera”, pas një pune intensive hetimore me metoda proaktive, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit, kryesisht të veprave të artit dhe të kulturës.       

“Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, për goditjen e fenomeneve kriminale, me qëllim sundimin e ligjit në territor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet inteligjencës policore, siguruan informacion për një rast të trafikimit të veprave të artit dhe kulturës, të cilin e referuan në Prokurori” bëhët e ditur nga policia.       

Gjatë një pune intensive  për rreth 5 muaj, me metoda proaktive, u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, konkretisht në banesat e shtetasve Sh. K. dhe P. P., ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike.    

          

Sipas informacioneve u bë arrestimi në flagrancë i 2 autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasve Sh. K., 51 vjeç dhe P. P., 57 vjeç, të dy banues në Fier, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.   

“Nga hetimi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shtetit grek, për t’i shitur në Shqipëri. Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë” bëhet me dije nga Policia e Shtetit. 

Gjithashtu do të bashkëpunohet me Policinë greke, për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale dhe për të çuar përpara drejtësisë edhe shtetasit e tjerë të implikuar.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme