Tragjedi në Malin e Jezercës, humb jetën alpinistja kroate, operacion policor për të shpëtuar alpinistët e tjerë

Sfida për të ngjitur Majën e Jezercës nga një alpiniste kroate është kthyer në një tragjedi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në Tropojë, më konkretisht në Majën e Jezercës, pasi një alpiniste me origjinë kroate, ka rrëshqitur dhe ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën.
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezercës”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezercës”. Sipas policisë, turistja kroate, shtetasja Z. L., 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshqitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën.
“Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë dhe do transportohet me helikopter, drejt morgut. Vijon operacioni i shpëtimit, mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.”, përfundon njoftimi i policisë.
Peleshi: Helikopteri i Emergjencave Civile në ndihmë të një grupi alpinistësh
Edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri të ditur se një ekip i kërkim-shpëtimit së bashku me helikopterin e Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes u angazhuan, menjëherë sapo kanë marrë njoftimin, krah policisë së Tropojës, në ndihmë të një grupi alpinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezercës”.
“Fatkeqësisht njëra nga anëtaret e grupit shtetesja Z.L 43 vjeç kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë dhe ka humbur jetën. Ekipi i kërkim-shpëtimit ka bërë e mundur nxjerrjen e trupit të pajetë dhe transportimin me helikopter drejt morgut. Ndërsa operacioni i shpëtimit vijon për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.”, shkruan Peleshi në rrjetet sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



