Transporti i mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit, Berisha: Rrjeti i Bazelit e konfirmoi, s’është rasti i parë

Politikë | 2 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së organizatës amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ se Porti i Durrësit është shfrytëzuar edhe më parë për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese në drejtim të disa vendeve aziatike.

Duke iu referuar materialit të “Zërit të Amerikës”, Berisha tha para demokratëve u shpreh se rrjeti prestigjioz i Bazelit konfirmoi se nisja nga Durrësi e një 100 kontejnerëve me lëndë helmuese nuk është rasti i parë, por është një rrugë e bërë kush e di sa herë.

“Rrjeti i Bazelit informon shqiptarët se trafiku ndërkombëtar, futja në Shqipëri e helmeve nga vende të tjera është një burim tjetër potencial, real i këtij krimi monstruoz shtetëror, i këtij trafiku shtetëror me në krye Edi Ramën”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Berisha u shpreh se sipas rrjetit të Bazelit, këto lëndë helmuese që vijnë nga vende tjera në Durrës, apo nga uzina Kurum dhe të tjera të Shqipërisë, shkarkohen në port në ambiente të hapura, dhe era mund të mbulojë Durrësin e më gjerë, duke helmuar ajrin me lëndë toksike të një rrezikshmëri shumë të lartë për sëmundje nga më të këqijat.

Berisha nënvizoi më tej se ka bërë të njohur denoncimin e një qytetari dixhital, që ka informuar se në muajin janar janë nisur 530 kontejnerë me lëndë toksike.

 “Qytetari digjital informon se përveç kompanisë Sokoli është dhe kompania e Aleks Binjakut, e cila bën të njëjtin transport dhe se Sokoli dhe Binjaku janë thjesht, Zoto dhe Mërtiri, prestanomet e Edi Ramës dhe ministrave të tij që merren me tregtinë e vdekjes, me trafiqet e vdekjes në Shqipëri dhe vende tjera”, tha kreu i PD.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme