Tritoli ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Zhupa-qeverisë: Hiqni dorë nga këto metoda, opozitarët nuk tremben

Vendosja e lëndës plasëse në makinën e kreut të PD-së së Vaut të Dejës, Benard Ndreca ka shkaktuar debate në Kuvend në seancën e sotme. Deputetja demokrate Ina Zhupa ka adresuar akuza ndaj qeverisë duke deklaruar se nëse socialistët kanë vendosur të hapin në këtë mënyrë fushatën elektorale, i kanë bërë llogaritë gabim.
Ajo i ka kërkuar informacione Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçit se ku janë sot hetimet për këtë çështje, ndërsa paralajmëroi se demokratët dhe opozitarët nuk tremben. Duke iu drejtuar qeverisë, Zhupa u ka kërkuar të heqin dorë nga këto metoda dhe të distancohen nga ngjarja.
“Çështja e dytë, lidhet me aktin e pashembullt terrorist ndaj kryetarit të PD-së të Vaut të Dejës duke u sulmuar me tritol për eliminimin e tij fizik. Kjo ishte hapja e fushatës elektorale e padëgjuar se si sulmohet për shkak të funksioneve të veta politike, një drejtues i lartë i PD.
Ky parlament duhet të distancohet, Çuçi të na thotë ku janë hetimet, kush është sot para drejtësisë, nëse do e bëni kështu fushatën elektorale i keni bërë llogaritë gabim.
Opozitarët nuk tremben, hiqni dorë nga këto metoda dhe distancohuni nga kjo ngjarje”, tha Zhupa.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:10 të 11 prillit 2023 të në fshatin Paçram, Shkodër, ku lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit tip “Audi” të Nrecës, ndërsa shpërtheu sapo ai u fut në automjet. Fatmirësisht ai nuk pësoi lëndime nga shpërthimi, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




