Tritoli në vilën 3-katëshe në Laç, gjendet e djegur në Fushë-Krujë makina e autorëve

Aktualitet | 4 vite më parë

Një autoveturë tip ‘Volkswagen Passat’ u gjet e djegur në vendin e quajtur Kallamat në fshatin Gramës të Fushë-Krujës.

Autovetura është shkrumbuar nga flakët dhe është dërguar në komisariatin e policisë në Krujë.

Ajo dyshohet të jetë përdorur nga autorët për vënien e sasisë së eksplozivit në vilë 3-katëshe të familjes Lika në Laç.

Ende nuk dihet se kujt i përket automjeti apo nëse brenda tij ka prova apo materiale që do të ndihmojnë për identifikimin e autorëve.

Zona e Kallamave në fshatin Gramëz është përdorur prej vitesh nga persona me precedentë penalë, për të djegur autoveturat që përdorin për krime të ndryshme.

Ndërkohë, më shumë se 24 orë pas ngjarjes, efektivët blu të Policisë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje 10 persona, por ende nuk është arritur të shkohet në gjurmët e autorëve të ngjarjes.

Në pjesën e përparme të banesës tre-katëshe, mësohet se ka pasur kamera sigurie, por sipas burimeve nga grupi hetimor thuhet se ato kanë qenë jashtë funksioni.

Policia ka sekuestruar dhe po analizon kamerat e disa banesave dhe bizneseve në zonë, por nga këqyrjet e deritanishme të pamjeve asnjëra prej tyre nuk i ka fokusuar lëvizjet e autoreve që mendohet të kenë qenë më shumë se 2 persona.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit të së premtes në fshatin Sanxhak të Kurbinit dhe objekt i sulmit me lëndë plasëse ishte banesa e Skënder Likës.

Përgatiti: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme