Tronditet NBA/FBI arreston 34 persona. Mes tyre basketbollistë dhe trajnerë, akuzohen për skema bastesh dhe lidhje me mafien

Amerikë | 11 muaj më parë

Një “stuhi” e madhe ka goditur botën e NBA-së sot, me arrestimin e mbi 34 personave, përfshirë lojtarin e Miami Heat, Terry Rozier, dhe trajnerin e Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, në kuadër të një hetimi federal për skema bastesh sportive të paligjshme dhe lojëra pokeri të manipuluara me mbështetjen nga familjet mafioze italiane.

Autoritetet amerikane, përfshirë prokurorin e SHBA-së për distriktin lindor të Nju Jorkut, Joseph Nocella Jr., dhe drejtorin e FBI-së, Kash Patel, e kanë quajtur këtë “një nga skemat më të guximshme të korrupsionit sportiv që nga legalizimi i basteve online në SHBA”.

Hetimi, i cili zgjati vite ka zbuluar një rrjet kriminal që ka vjedhur miliona dollarë nga viktimat, duke përfshirë atletë profesionistë.

Në një konferencë për mediat në Brooklyn, Nocella shpjegoi se janë dy dosje të ndara, por të lidhura, që përfshijnë 6 të akuzuar në skemën e basteve sportive dhe 31 në atë të pokerit.

“Kjo nuk është thjesht bastisje – është një ndërmarrje kriminale e gjerë që ka dëmtuar besimin në sportin profesionist”, tha ai.

FBI-ja e quajti operacionin “Nothing But Bet:”, duke theksuar se skema ka pasur mbështetje nga familjet mafioze Bonanno, Gambino, Lucchese dhe Genovese, të cilat merrnin pjesë në fitime dhe kërcënonin debitorët përmes dhunës.

Skema e basteve sportive

Në dosjen e parë, të 30-vjeçarit Rozier, i cili ndodhet në sezonin e tij të 10-të në NBA (pas Boston Celtics dhe Charlotte Hornets), akuzohet se ka shpërndarë informacion të brendshëm mbi dëmtimet dhe performancën e lojtarëve për të favorizuar kompanitë e basteve.

Komisionerja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, theksoi se Rozier, ndërsa luante për Hornets-in, u largua herët nga një ndeshje kundër New Orleans Pelicans më 23 mars 2023, duke pretenduar për një dëmtim në këmbë, pas një shpërthimi bastesh të dyshimta – 30 bastesh në 46 minuta duke gjeneruar mijëra dollarë fitime të ndara.

Akuzat thonë se Rozier dhe bashkëpunëtorët e tij kishin qasje në “informacione private të lojtarëve dhe trajnerëve të NBA” që ndikonte rezultatet, duke u shpërblyer me tarifa fikse ose pjesë në fitimet e basteve.

Dosja përmend 9 bashkëpunëtorë të paidentifikuar, përfshirë një ish-lojtar NBA nga Florida, një ish-lojtar nga Oregon (1997-2014) dhe një trajner të NBA që nga 2021, si dhe një të afërm të Rozier-it.

Tisch theksoi se lojtarët ndonjëherë ndryshonin performancën ose dilnin herët nga ndeshjet për të ndihmuar kompanitë e basteve.

Rozier u arrestua herët këtë mëngjes në Orlando, Florida, pas humbjes së Heat-it ndaj Magic-ut në hapjen e sezonit (ku ai ishte me uniformë, por nuk luajti për shkak të një dëmtimi). Ai pritet të shfaqet në gjykatën federale pasdite në Orlando.

Avokati i tij, Jim Trusty, tha për ESPN se një hetim i mëparshëm i NBA-së dhe FBI-së në 2023 kishte konfirmuar se Rozier nuk kishte bërë asgjë të gabuar.

“Terry nuk është njeri i basteve, por nuk i frikësohet kësaj beteje dhe pret të fitojë”, shtoi Trusty.

NBA-ja nuk ka reaguar apo të japë shpjegime të menjëhershme, por ligjërisht po heton ish-lojtarin e Detroit-it, Malik Beasley.

Në dosjen e dytë, Billups, 49-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në lojëra pokeri të paligjshme në zonën e Nju Jorkut, të mbështetura nga mafiozët.

Bashkë me ish-lojtarin dhe trajnerin e Cleveland Cavaliers, Damon Stoudamire (ish-asistent trajner), Billups përdorej si aktor kryesor për të tërhequr viktimat – atletë profesionistë që krijojnë iluzionin e një loje të rregullt.

Lidhja me mafien

Në këtë skemë përdorte teknologji të avancuar “high-tech” në manipulime duke vjedhur miliona dollarë nga viktimat.

Mafia merrte pjesë në fitime dhe përdorte dhunë për të mbledhur borxhet.

Billups dhe Jones u paguan për pjesëmarrjen, me një rast ku Jones kërkoi 2,500 dollarë parapagim për një lojë. Të dy u arrestuan sot – Billups në Portland, Oregon, dhe Jones në Las Vegas.

Billups pritet të shfaqet në gjykatë federale në Oregon pasdite. Një mesazh për koment u la te Billups, por nuk ka përgjigje të menjëhershme. Portland Trail Blazers nuk ka reaguar ende.

Akuzat përfshijnë konspiracion për mashtrime, pastrim parash, shantazh, grabitje dhe bastisje të paligjshme, me FBI-në që raporton “dhjetëra milionë dollarë në mashtrime”. Tre persona akuzohen në të dy dosjet.

Kjo skemë vjen pas rastit të Jontay Porter-it (ish-Toronto Raptors), i cili u shpall fajtor për manipulim në 2024.

Kongresmeni demokrat Paul Tonko e lidhi me “shpërthimin e pakontrolluar të basteve sportivë”, duke kërkuar standarde federale për reklamat dhe kontrollin e varësisë.

Lufta kundër basteve të paligjshme vazhdon, por ky hetim masiv nxjerr në pah rreziqet e lidhjeve midis sportit, mafies dhe teknologjisë.

NBA-ja, me sezonin e ri të nisur, përballet me një krizë besimi – një goditje e rëndë për ligën që promovon integritetin si vlerë kryesore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme