Makina përplaset me turmën pranë Hanoverit, 4 të plagosur. Policia hap zjarr, por autorët arratisen

Një shofer dyshohet se ka përplasur qëllimisht një grup njerëzish në Neustadt am Rübenberge, pranë Hanoverit, në Gjermani. Nga ngjarja e ndodhur të hënën në mbrëmje, janë plagosur të paktën katër persona, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Policia qëlloi ndaj automjetit në përpjekje për ta ndaluar, por personat e dyshuar u larguan në këmbë.
Sipas një zëdhënëseje të policisë, të plagosurit u transportuan në spital, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën. Numri i personave të dyshuar që ndodheshin në automjet nuk është përcaktuar ende. (Një BMW është parkuar në vendin e ngjarjes. Sipas Bild, është automjeti i përdorur në krim. Burimi: Moritz Frankenberg/dpa)
Pas ngjarjes, të dyshuarit braktisën makinën dhe u larguan, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e tyre. Një reporter i agjencisë gjermane të lajmeve DPA raportoi se disa automjete në zonë kishin pësuar dëmtime, mes tyre goma të shpuara, xhama të pasmë të thyer dhe shenja plumbash.
Rrethanat dhe motivi i ngjarjes mbeten ende të paqarta. Sipas hetimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se personat e përfshirë njiheshin me njëri-tjetrin. Zëdhënësja e policisë bëri të ditur se grupi i njerëzve mund të jetë përzgjedhur qëllimisht nga autorët e dyshuar dhe se nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për një sulm të rastësishëm.
“Rrjedha e ngjarjes dhe përfshirja e saktë e personave në të janë ende pjesë e hetimeve”, deklaroi ajo.
Ngjarja u vu re nga efektivët pak para mesnatës, pasi pranë vendit ku ndodhi, në zonën e Shützenplatz, po zhvillohej një kontroll rutinë i trafikut. Sipas policisë, efektivët e pranishëm ndërhynë dhe qëlluan ndaj makinës në përpjekje për ta ndaluar.
Në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policore, disa prej tyre të armatosura rëndë. Në operacion dyshohet se u përdorën gjithashtu një helikopter dhe një qen policie. Zona u bllokua për disa orë për të mundësuar mbledhjen e provave. Hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes, vijojnë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




