Gjykata amerikane rrëzon kërkesën e Trump për bllokimin e 20 mijë votave në Kaliforni

Botë | 57 minuta më parë

Një gjykatë federale apeli në SHBA ka rrëzuar kërkesën urgjente të administratës së Donald Trump për të ndaluar numërimin e mbi 20 mijë fletëvotimeve në Kaliforni, të cilat qeveria federale dyshon se lidhen me persona që nuk janë shtetas amerikanë. Vendimi u mor me shumicë votash, 2 me 1, ndërsa çështja do të shqyrtohet nga një gjykatë e shkallës së parë. Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë vendosi të hënën të mos ndërhyjë në këtë fazë të procesit, duke argumentuar se nuk kishte autoritetin të shqyrtonte kërkesën përpara se gjykata e shkallës së parë të trajtonte çështjen. Padia e Departamentit amerikan të Drejtësisë është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të rritur rolin e qeverisë federale në administrimin e zgjedhjeve në nivel shtetëror.

Dy gjyqtarët e shumicës, Mark Bennett, i emëruar nga Trump, dhe Gabriel Sanchez, i emëruar nga Joe Biden, vlerësuan se urgjenca e pretenduar nga qeveria federale ishte krijuar pjesërisht nga vetë vonesat e saj në paraqitjen e padisë dhe në sqarimin e kërkesave. Çështja i është kthyer gjykatës federale në Kaliforni, ku është caktuar një seancë dëgjimore për të martën.

Departamenti i Drejtësisë kërkon që autoritetet kaliforniane të mos numërojnë më shumë se 20 mijë fletëvotime me postë, të cilat sipas qeverisë mund t’u përkasin personave që nuk kanë shtetësi amerikane. Megjithatë, gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarët ngritën pikëpyetje mbi besueshmërinë e të dhënave të përdorura për identifikimin e këtyre votuesve. Gjyqtari Gabriel Sanchez kërkoi shpjegime për burimet e të dhënave dhe analizat nga palë të treta, të cilave u ishte referuar qeveria federale. Avokati i Departamentit të Drejtësisë, Matthew Donnelly, pranoi se nuk kishte informacion të detajuar mbi identitetin e këtyre palëve.

Avokatët e Kalifornisë argumentuan se administrata po mbështetej në të dhëna të vjetruara dhe jo të besueshme, ndërsa paralajmëruan se ndërhyrja në një proces zgjedhor që tashmë ka nisur mund të shkaktojë konfuzion dhe të rrezikojë të drejtën e votës për qytetarët që kanë të drejtë të votojnë.

Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e së drejtës së votës dhe të autoritetit të shtetit për të administruar zgjedhje të drejta dhe të sigurta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme