Trump i adresohet presidentit kinez: Mbështetja e Pekinit për Iranin është e papranueshme

Presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë gjatë bisedimeve të sinqerta në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij kinez, Xi Jinping, se çdo ndihmë e Kinës ndaj Iranit është e papranueshme.
Këtë e deklaroi ambasadori i SHBA-së në Kinë, David Perdue, në një intervistë për kanalin CNBC.
Sipas Perdue-s, ky mesazh i është komunikuar Pekinit prej javësh dhe u përsërit sërish gjatë takimit të së enjtes në Zyrën Ovale.
“Ne e bëmë shumë të qartë për ta javë më parë se çdo ndihmë që ata do t’i jepnin Iranit – qoftë e drejtpërdrejtë apo indirekte, qoftë inteligjencë, pjesë apo pajisje ushtarake – është totalisht e papranueshme. Presidenti Trump e bëri këtë sërish shumë të qartë dje. Kjo është një ritëm i vazhdueshëm”, tha Perdue.
Ambasadori theksoi se dy liderët po fillojnë të ndërtojnë një marrëdhënie të bazuar në njëfarë besimi dhe po punojnë së bashku mbi çështjet e vështira.
“Ishte një bisedë shumë e sinqertë dhe e hapur. Çdo herë që flasin, shohim një nivel më të lartë intimiteti mbi këto çështje të vështira me të cilat po merremi”, shtoi ai.
Takimi Trump-Xi u zhvillua në kuadër të vizitës së presidentit kinez në Uashington.
Në bisedime morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të të dyja palëve, përfshirë zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Thesarit Scott Bessent, si dhe zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




