Trump i drejtohet kombit – Mbajti fjalimin më të gjatë në histori, fokusi tek ekonomia tek Irani
Presidentin amerikan e nisi fjalimin e tij rekord prej një ore e 47 minutash për Gjendjen e Kombit duke paraqitur një tablo optimiste ekonomike. Ai i prezantoi arritjet e administratës së tij, duke i cilësuar ato si agim i një “epoke të artë”, ndërsa deklaroi se Amerika ishte më e madhe, më e mirë, më e pasur dhe më e fortë se kurrë më parë.
Ndonëse nuk i kritikoi drejtpërdrejt gjyqtarët e Gjykatës se lartë të pranishëm në seancë, lidhur me vendimin e tyre të fundit për tarifat, ai e cilësoi atë zhgënjyes dhe të pafat. Megjithatë, Trump siguroi se taksat do të mbeten në fuqi përmes bazave të tjera ligjore të miratuara dhe të testuara, duke shtuar se ato mund të zëvendësojnë plotësisht taksat mbi të ardhurat.
Trump përshëndeti atë që e quajti progres në uljen e imigracionit të paligjshëm dhe forcimin e kufirit jugor. Ai nuk përmendi polemikat për operacionet e zbatimit të ligjit në disa shtete . Ndërsa fliste për politikën e jashtme, Trump u ndal tek Irani. Duke iu referuar asaj që ai i quajti përpjekje të administratës së tij për të rritur sigurinë e SHBA-së, pretendoi se Republika Islamike po kërkon të zhvillojë raketa që mund të arrijnë Shtetet e Bashkuara.
“Dëshira ime është ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë, por një gjë është e sigurt: unë kurrë nuk do të lejoj që sponsori numër një i terrorizmit në botë të ketë një armë bërthamore”- tha ai. Trump i atribuoi merita vetes mbi operacionin amerikan për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, në Karakas muajin e kaluar, duke theksuar se qasja e tij mbetet paqja përmes forcës. Fjalimi u shoqërua me tensione të herëpashershme me demokratët në sallë, një pjesë e të cilëve e bojkotoi fjalimin e Trump. Ndërsa përgjigjen zyrtare të demokrateve e dha guvernatorja e Virxhinias, Abigail Spanberger, e cila deklaroi se presidenti nuk ofroi zgjidhje reale për sfidat urgjente të kombit tonë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





