Trump: Irani ka shkelur marrëveshje. Sulmi ndaj anijeve në Hormuz, një marrëzi

Amerikë | 3 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Iranin se ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar javën e kaluar midis dy palëve, duke lëshuar të paktën katër dronë sulmues ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump ka dhënë detaje të incidentit: “Një nga dronët goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transportuese mallrash. U shkaktua dëm, por anija arriti të vazhdojë rrugën e saj. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan e cilësoi veprimin iranian si “një shkelje të dukshme dhe të marrëzishme të marrëveshjes sonë të armëpushimit”, por nuk specifikoi nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin ndonjë masë kundërpërgjigjeje.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më strategjike të transportit detar në botë, ku kalon një pjesë e madhe e naftës së botës, ndërsa çdo tension në këtë zonë rrezikon të ndikojë seriozisht në çmimet globale të energjisë dhe sigurinë e lundrimit ndërkombëtar.

Marrëveshja e armëpushimit midis SHBA-së dhe Iranit u nënshkrua vetëm javën e kaluar, pas një periudhe tensionesh të larta që kishin rrezikuar të shpërthenin në konflikt të drejtpërdrejtë.

Detajet e plota të asaj marrëveshjeje nuk janë bërë ende publike në tërësi, por ajo pritej të ulte tensionet ushtarake në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme