Trump, Meloni dhe Orban, video- mesazhe në tubimin e së djathtës ekstreme në Spanjë

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë rëndësi të djathtës ekstreme të Spanjës, nëpërmjet një video që u shfaq në një tubim në Madrid. Ky tubim kishte mesazhe edhe nga drejtuesit kryesorë të së djathtës populiste të Evropës si Giorgia Meloni e Italisë, si dhe Viktor Orban i Hungarisë.
Në një regjistrim që zgjati më pak se 40 sekonda, i bërë ndërsa ish- presidenti ishte në aeroplan, Trump falënderoi partinë e ekstremit të djathtë të Spanjës Vox dhe liderin e saj, Santiago Abascal, për atë që ai e quajti “punë e shkëlqyer” që ata po bëjnë. “Ne duhet të sigurohemi që të mbrojmë kufijtë tanë dhe të bëjmë shumë gjëra të mira konservatore”, tha Trump.
“Spanja është një vend i madh dhe ne duam ta mbajmë atë një vend të madh. Pra, urime Vox për kaq shumë mesazhe të shkëlqyera që u dërgoni njerëzve të Spanjës dhe njerëzve të botës.”
Vox tërhoqi vëmendjen kombëtare në peisazhin politik të Spanjës në vitin 2019, kur u bë forca e tretë më e madhe në Parlamentin e Spanjës, pas zgjedhjeve që çuan në një koalicion kombëtar të krahut të majtë, që ende është në pushtet.
Mesazhet e Vox përfshijnë zero tolerancë për separatizmin katalanas, përbuzje për barazinë gjinore, masa të ashpra kundër emigrimit të paautorizuar nga Afrika, si dhe ruajtjen e trashëgimisë së diktaturës të gjeneralit Francisco Franko të shekullit të 20-të. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




