Trump padit sërish “WSJ”, përplasja lidhet me një letër për Jeffrey Epstein

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka rindezur betejën e ashpër ligjore me gazetën prestigjioze The Wall Street Journal. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dorëzuar një padi të rishikuar për shpifje pasi gjykata ia rrëzoi kërkesën e parë muajin e kaluar.
Përplasja e madhe mes tyre nisi pas një raportimi për një letër me përmbajtje të turpshme drejtuar financierit Jeffrey Epstein. Sipas medias amerikane letra e ditëlindjes mbante firmën e Trump por ky i fundit e ka mohuar prerazi këtë fakt.
Gjykatësi i Floridës e rrëzoi padinë fillestare me argumentin se nuk u vërtetua keqdashja e gazetarëve gjatë publikimit. Pavarësisht këtij vendimi në dokumentet e reja presidenti këmbëngul se artikulli u bë me qëllim të pastër denigrues. Ashtu si herën e parë Trump kërkon një dëmshpërblim rekord prej të paktën dhjetë miliardë dollarësh nga manjati Rupert Murdoch.
Ky nuk është sulmi i parë i kreut të shtetit ndaj mediave që ai i cilëson vazhdimisht si armiqësore. Dokumentet e zbardhura së fundmi konfirmojnë se Trump ka pasur kontakte me Epstein në të shkuarën por pa asnjë lidhje kriminale. Tashmë pritet lëvizja e radhës nga drejtësia amerikane për të parë nëse kjo padi do të pranohet për shqyrtim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





