Trump pro armëmbajtjes, ish-presidenti amerikan zotohet të shfuqizojë kufizimet nëse fiton zgjedhjet

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, kandidati kryesor republikan në garën presidenciale të vitit 2024, është shprehur se nëse rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë do të shfuqizonte të gjitha kufizimet e armëve të miratuara nga Presidenti Joe Biden.
“Sulmi i Bidenit ndaj pronarëve dhe prodhuesve të armëve do të përfundojë që gjatë javës së parë të rikthimit tim në detyrë, ndoshta që ditën e parë”, tha Trump gjatë fjalimit të mbajtur para mijëra mbështetësve në Harrisburg, të Pensilvanisë. Shoqata Kombëtare e Armëve e cila kishte organizuar këtë takim, e ka mbështetur fort Trumpin gjatë garës së vitit 2016 dhe gjatë gjithë administratës së tij, duke e përkrahur ish presidentin kur emëroi tre gjyqtarë konservatorë në Gjykatën e Lartë dhe kur miratoi një sërë masash të kërkuara nga lobi pro armëmbajtjes.
“Gjatë 4 vjetëve të mandatit tim nuk ndodhi asgjë, edhe pse ndaj meje kishte trysni të madhe për të vënë kufizime për armët. Ne nuk bëmë asgjë, nuk u dorëzuam”, u shpreh Trump para mbështetësve të tij. Sipas të dhënave nga Qendra Kërkimore Peë, në Shtetet e Bashkuara gjatë një vit humbin jetën nga armët e zjarrit mesatarisht 46 mijë persona, nga të cilët rreth 54% e tyre kryejnë vetëvrasje.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




