Turi ballkanik/ Kryeministri Rama udhëton sot drejt Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të turit ballkanik të nisur një ditë më parë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovës, do të ndalet këtë të premte (7 korrik) në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të zhvillojë në orën 10:55 një takim me Kryetaren e Këshillit të Ministrave.

Pas takimit, në orën 11:40, dyshja do të zhvillojnë konferencën e përbashkët për shtyp.

Kryeministri Rama me një postim në rrjetin social Facebook, teksa ka drejtuar një përshëndetje për të gjithë qytetarët në Kosovë, bën me dije se po niset drejt Sarajevës , në ditën e dytë të takimeve në rajon.

“MIRËMËNGJES 
dhe me një përshëndetje për krejt Kosovën, vazhdojmë drejt Sarajevës për ditën e dytë të takimeve në rajon”, shkruan Rama.

Sakaq, po këtë të premte, kryeministri Rama do të zhvillojë në orën 13:45 një takim tetë-a-tetë me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin po ashtu në orën 15:40 do të mbajë konferencën e përbashkët për shtyp.

Më pas, Rama do të udhëtoj drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe 30 minuta më pas do të mbajnë edhe konferencën për shtyp.

Të enjten (6 korrik), kreu i qeverisë shqiptare udhëtoi drejt Maqedonisë së Veriut, ku u takua me homologun Dimitar Kovaçevski, ku dy liderët përsëritën nevojën për më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Rama tha se pret që Samiti i Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, të shënojë hapa konkret, teksa theksoi se rajoni ka nevojë për mbështetje dhe nisma konkrete.

Pas Maqedonisë së Veriut, Rama shkoi në Kosovë, ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani ku situata në veri të Kosovës, Procesi i Berlinit dhe Samiti i NATO-s, ishin tre çështjet kryesore në fokus të bisedës me tyre.  Po ashtu, Rama u takua edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ky i fundit kërkoi që kryeministri Rama të mos e shohë si fajtore Kosovën lidhur me krizën në veri, por si një vend që kërkon rend dhe ligj. Ndërsa ka theksuar se Rama mund ta ndihmojë Kosovën më shumë nga sa po bën.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Por ndonëse në axhendën e publikuar një ditë më parë, ku Kryeministri mbetej në pritje të një konfirmimi nga homologu i Kosovës për takimin me të, dyshja Rama-Kurti nuk zhvilluan asnjë takim mes tyre. Kjo pasi të mërkurën (5 korrik), Kryeministri Kurti u shpreh se nëse nuk zhvillohej mbledhja e përbashkët e dy qeverive Kosovë-Shqipëri dhe nuk miratoheshin 13 marrëveshjet e parashikuara për firmosje në mbledhjen e anuluar, nuk do kishte një takim mes tyre.

Por ditën e djeshme, kryeministri Rama konfirmoi firmosjen e marrëveshjeve nga pala shqiptare, e pak orë më pas, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, pranoi 13 marrëveshjet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme