Turistë nga e gjithë Europa zgjedhin Vlorën për të pushuar: Plazhe të mrekullueshme, mikpritja e jashtëzakonshme

Shqipëria po lakmohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj, teksa këtë vit plazhet e mrekullueshme kanë mirëpritur qytetarë nga e gjithë Europa. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video nga Vlora, ku turistët shprehin përshtypjen e tyre për vendin tonë.
Ata vlerësojnë plazhet dhe mikpritjen e shqiptarëve, por po ashtu edhe atmosferën në qytetin e Vlorës.
“Është hera e parë që vijmë në Vlorë. Erdhëm një natë më parë dhe është me të vërtetë një qytet i bukur dhe plazhe të bukura. Njerëzit janë shumë të dashur. Gjatë mbrëmjes gjallërohet dhe na pëlqen shumë”, thotë një turist.
Ndonëse temperaturat janë shumë të larta, ata thonë se të bësh një udhëtim me varkë për të zbuluar shpella dhe plazhe “sekrete”, ia vlen.
“Këtu në Vlorë është shumë bukur. Bëmë një udhëtim me anije dhe pamë plazhe shumë të bukura edhe pse sot është shumë vapë. Njerëzit janë shumë shumë të mirë. Njerëzit ishin të gjithë duke kërcyer në anije, pra ishte vendi i duhur për t’u vizituar”, tregon një tjetër turiste.
“Vij nga Austria. Kemi dy ditë këtu. Është shumë vapë, por shumë bukur. U kënaqëm shumë në udhëtimin me varkë, ishte udhëtim i këndshëm dhe kaluam një ditë fantastike”, thotë një tjetër.
Ata rekomandojnë edhe Sarandën dhe Ksamilin, teksa një turist nga Spanja i përshkruan plazhet atje si “parajsë”.
“Ndodhemi në Shqipëri dhe jemi stacionuar në Vlorë. Është qytet shumë i bukur, plazhet janë shumë të mirë, por rekomandoj edhe Ksamilin dhe Sarandën, pasi plazhet atje janë një parajsë. Këtu jemi në një anije turistike që niset nga Vlora, na kanë treguar disa shpella, hëngrëm në barkë dhe Shqipëria është shumë e sugjeruar”, thotë ai.
“Kemi ardhur para dy ditësh në Shqipëri dhe jemi në këtë plazh të bukur. Mikpritja e shqiptarëve është e shkëlqyer. Po kalojmë shumë mirë. Udhëtimin tonë do ta vazhdojmë duke zbritur në jug. Do shkojmë në Ksamil më pas në Berat dhe pastaj do kthehemi në Tiranë ku do rrimë 3-4 dhe ku do të përfundojë udhëtimi ynë”, shprehet një turist nga Italia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




