Turizmi solli më shumë të ardhura, ekspertët: Faktor kryesor rritja e çmimeve, jo rritja e konsumit

Aktualitet | 1 vit më parë

Turizmi vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.

Vizitorët e huaj kanë treguar një interes të lartë për vendin tonë këtë vit, duke zgjeruar më tej ndikimin pozitiv të këtij sektori në bilancin ekonomik.

Megjithatë dilema kryesore lidhet me faktin nëse kjo rritje është rezultat i çmimeve më të larta apo i gatishmërisë së vizitorëve për të shpenzuar më shumë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

“Rritja e shpenzimeve të turistëve në Shqipëri ka ardhur si pasojë e e rritjes së çmimeve. Një nga faktorët është rritja e çmimeve të produkteve turistike, pra, qoftë ushqimi, qoftë shërbimet e tjera që ofrohen në sektorin e turizmit,” shpjegon ekspertja Antoneta Polo.

Ndërkohë, edhe shqiptarët vijojnë të jenë aktivë në udhëtime dhe shpenzime jashtë kufijve.

“Shifra është diku te 1,3 miliardë euro. Mesatarja [e shpenzimeve] për një turist shqiptar jashtë është diku te 340 euro,” tregon ekspertja e ekonomisë.

Bilanci i turizmit mbetet pozitiv dhe në nivelet më të larta të regjistruara deri më tani. Shqipëria po forcon profilin e saj si një destinacion i preferuar, jo vetëm për vizitorët europianë, por edhe për turistët nga Amerika, Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme.

Sipas ekspertëve, nëse sektori do të menaxhojë me kujdes çmimet dhe cilësinë e shërbimeve, kjo rritje mund të ruhet dhe të përkthehet në përfitime më të mëdha për ekonominë kombëtare.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme