Turizmit do t’i mungojë Muzeu Historik Kombëtar, operatorët: Vendime që na vendosin në vështirësi

Dyert e Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllen nga data 15 mars për t‘u hapur pas 4 vitesh.
Objekti simbol i trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit do te rikonstruktohet me qëllim zgjerimin e hapësirave muzeale si dhe forcimin e strukturës ekzistuese.
Për tur-operatorët, mbyllja e muzeut nuk është një lajm i mirë sidomos në një kohë kur kërkohet pasurimi i ofertës ndaj vizitorëve të huaj.
“Muzeu ishte vendi i parë që fusim në paketë turistike, tani pa muzeun, Tirana është shumë e thatë”, tha Kryetari i Shoqatës së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, Klinton Gerxhanin.
Për Gerxhanin, vendimmarrje të tilla kërkojnë koordinimin me tur-operatorët pasi cënojnë kontratat e nënshkruara me herët me partnerët jashtë vendit.
“Kemi 4 muaj që kemi planifikuar muzeun në çdo program që kemi dërguar për ofertë tek operatorët e huaj, ndaj po mendojmë tani se me çfarë vendi do ta zëvendësojmë. Muzeu mbante barrën kryesore të turizmit” u shpreh ai.
Për Gerxhanin mungesa e muzeut, i cili mbante barrën kryesore të vlerave kulturore dhe historike të vendit, vendos në vështirësi punën e tur-operatorëve, por edhe punën bashkisë në raport me vizitorët e huaj.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




